Ndërsa tensioni mes Katarit dhe vendeve arabe mbetet i lartë, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje për unitet në luftën kundër terrorizmit.

 

Ai i ka kërkuar mbretit Salman të Arabisë Saudite të bashkojë shtetet e rajonit të Gjirit Persik. Më herët Trump ishte shprehur se izolimi i Katarit shënon nisjen e fundit të tmerrit të terrorizmit dhe se kjo lëvizje ishte pasojë e presionit që ai ushtroi tek sauditët. Trump ka dhënë mesazhin se duhet unitet për të luftuar ideologjinë ekstremiste dhe financimin e terrorizmit. Gjatë bisedës telefonike me mbretin saudit, shefi i Shtëpisë se Bardhe theksoi se vendet e rajonit duhet të bashkohen për paqen dhe sigurinë.

 

Emiri i Kuvajtit është shprehur i gatshëm për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe po kështu presidenti turk Erdoan ka ofruar ndihmë, duke thënë se izolimi dhe sanksionet nuk do ta zgjidhin krizën.

 

Për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti francez Macron, që mbështet çdo nismë për uljen e tensioneve.

 

Ndërkaq, hetues amerikanë besojnë se shkak për krizën janë bërë hakerat rusë, që kanë publikuar një lajm të rremë në agjencinë shtetërore të lajmeve të Katarit. Aty kritikohej Arabia Saudite. FBI ka dërguar një skuadër hetuesish në Doha për të ndihmuar qeverinë në hetimin e sulmit kibernetik.

 

Zyrtarë amerikanë besojnë se synimi i Rusisë ishte të shkaktonte tensione mes SHBA dhe aleatëve të saj arabë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *