Donald Trump njoftoi të shtunën se nuk do të marrë pjesë në darkën e pervitshme të korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë që do të organizohet më 29 prill 2017.
Ky vendim lidhet me një etapë të re në marrëdhëniet e tendosura të presidentit me shtypin dhe synon të shkëputet nga një traditë që ka nuanca humori.
“Këtë vit, nuk do të marr pjesë në darkën e Shoqatës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Urimet e mia më të mira të gjithëve, kalofshi një mbrëmjë sa më të këndshme !”, nënvizoi presidenti Trump në rrjetin social Twitter.
Përfaqësues të medias, të politikës dhe shumë njerëz të famshëm të fushave të ndryshme marrin pjesë në këtë mbrëmje gala që zhvillohet çdo vit në hotelin e Uashingtonit.
Kjo mbrëmje që organizohet që nga viti 1921, i jep mundësinë presidentit amerikan të mbajë një fjalim me nota humori përmes të cilit ai tallet me kundërshtarët e tij politikë.
Që nga ardhja e tij në pushtet para një muaji, Donald Trump ka një marrëdhënie të tendosur me shtypin. Ai i sulmon vazhdimisht “mediat e pandershme’ dhe shumë prej tyre i cilëson si “armiq të popullit”.
Administrata e tij nuk lejoi të premten gazetarët e New York Times dhe CNN të merrnin pjesë në konferencën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *