E hënë, 14 Shtator 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Trump: Marco Rubio këshilltar i përkohshëm i sigurisë kombëtare, Waltz ambasadori i SHBA-së në OKB

Ilustrim · Vizion Plus

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar riorganizime në administratën e tij.

Konkretisht, përmes një postimi në Truth Social, ai deklaroi se Marco Rubio, Sekretari aktual i Shtetit, tani do të shërbejë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, ndërsa Mike Waltz do të bëhet ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se do ta nominoj Mike Waltz si Ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Mike Waltz ka punuar shumë për t’i vënë interesat e Kombit tonë në vend të parë”, shkroi Trump.

“E di që ai do të bëjë të njëjtën gjë në rolin e tij të ri. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të shërbejë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, ndërkohë që do të vazhdojë udhëheqjen e tij të fortë në Departamentin e Shtetit. Së bashku, ne do të vazhdojmë të luftojmë pa u lodhur për ta bërë Amerikën dhe botën PËRSËRI TË SIGURT. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, vazhdon postimi.

Sfondi pas largimit të Waltz

Më herët gjatë ditës së sotme u njoftua se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Mike Waltz, dhe zëvendësi i tij, Alex Wong, do të largoheshin nga pozicionet e tyre.

Waltz pranoi së fundmi se kishte përfshirë Jeffrey Goldberg, kryeredaktorin e The Atlantic, në një bisedë tepër sekrete në platformën e tij Signal.

Në këtë diskutim, në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë të administratës Trump, Ministri i Mbrojtjes i vendit dha detaje rreth operacionit të SHBA-së kundër Huthëve në Jemen.

Edhe pse Presidenti i SHBA-së nuk vazhdoi menjëherë me shkarkimin e tij, duket se ai i kishte marrë vendimet pasi 5 bashkëpunëtorët më të ngushtë të Waltz u larguan në fund të marsit të kaluar dhe nuk janë zëvendësuar deri më sot./vizionplus.tv

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh