Mbi 4 milionë njerëz në të gjithë botën janë infektuar me koronavirusin e ri dhe rreth 270 mijë pacientë kanë humbur jetën ndërsa origjina e Covid-19 është ende e paqartë.

Kërkesat ndërkombëtare për hetime të pavarura në Vuhan janë shtuar, por deri më tani Kina nuk ka lejuar asnjë ekip të huaj ekspertësh. SHBA kanë marrë goditjen më të rëndë nga pandemia ndërsa presidenti Donald Trump e ka quajtur luftën më të keqe në histori.

DONALD TRUMP

PRESIDENT I SHBA

“Ky me të vërtetë është sulmi më i keq që kemi patur ndonjëherë.  Shpërthimi i pandemisë na ka goditur më shumë se sa bombardimet japoneze të Pearl Harbour në Luftën e Dytë Botërore, ose sulmet e 11 shtatorit dy dekada më parë. Dhe nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Mund të ishte ndalur në burim. Mund të ishte ndalur në Kinë. Por nuk ndodhi. Unë e shoh armikun e padukshëm si një luftë.”

Administrata Trump ka paralajmëruar se do të ndëshkojë ashpër Kinën për mungesën e përgjigjes ndaj krizës, por sipas Pekinit zyrtar, Uashingtoni po përpiqet të largojë vëmendjen nga dështimi në menaxhimin e pandemisë.

Edhe sekretari i shtetit Mike Pompeo ka përsëritur se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se virusi ka dalë nga një laborator në Uhan por një nga ekspertët më të besueshëm të Shëndetit Publik në SHBA, Antony Fauci ka thënë se kjo nuk mbështetet nga të dhënat shkencore që janë siguruar deri më tani.

75 mijë persona kanë humbur jetën nga koronavirsui në SHBA, në më shumë se 8 milionë teste të kryera, 1.3 milionë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *