Pak orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva për të vendosur vulën e tij mbi administratën e re amerikane.
Në mesin e urdhrave të parë ishte një falje e përgjithshme e mbi 1.500 personave të akuzuar për krime në trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitolin e SHBA-ve.
Veprimi i Trumpit, hap rrugën për lirimin nga burgu të atyre që janë shpallur fajtorë për sulme të dhunshme ndaj policisë, si dhe drejtuesve të grupeve ekstreme të djathta të dënuar për komplotet e dështuara për të mbajtur në pushtet republikanin pasi humbi zgjedhjet e 2020-tës ndaj ish-presidentit, Joe Biden.
Demokratët kritikuan ashpër vendimin për të përfshirë në falje edhe protestuesit e dhunshëm, krimet e shumë prej të cilëve u kapën në kamera dhe u transmetuan drejtpërdrejt në televizione.
Presidenti amerikan kritikoi edhe vendimin e Biden për të falur familjarët e tij vetem disa ditë para largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas tij, kjo nënkupton se ata mund të kenë qënë fajtorë.
Sakaq një tjetër vendim i Donald Trump është edhe tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e cila është kritikuar gjerësisht nga republikanët.
Sipas tyre politikat e administratës së Presidentit Biden për ndryshimet klimatike janë veprime që dëmtojnë bizneset dhe ekonominë amerikane.
Po ashtu SHBA ka nisur procesin e tërheqjes edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kjo është hera e dytë që Trump jep këtë urdhër pasi ka qënë kritik për mënyrën se si kjo organizatë ka trajtuar COVID-19.
Në urdhrin ekzekutiv theksohej se ky vendim është rezultat i “pagesave të padrejta që SHBA i bëri OBSH-së”, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë senati konfirmoi ish-senatorin Marco Rubio si Sekretar të Shtetit një votim unanim, duke i dhënë Presidentit Donald Trump anëtarin e parë të kabinetit të tij të ri në ditën e inaugurimit./vizionplus.tv





