Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu propozoi që qeveria të sigurojë teste falas për qytetarët që po presin në radhë në Kakavijë dhe Kapshticë.
Me anë të një postimi në “Facebook”, ai tha se minimalisht duhet të ketë 2.500 tamponë falas dhe mijëra teste serologjike.
“Qeveria jonë duhet të organizojë me urgjencë e në marrëveshje me palën greke: Testimin e vazhduar PCR, 24 orësh direkt në të katër pikat kufitare, duke aktivizuar të gjitha kapacitetet e mundshme laboratorike, apo dhe të tjera të kontraktuara nga jashtë, siç bëhet kudo në botë. Ky duhet të jetë propozimi i parë i yni ndaj palës greke, e cila çdo ditë po realizon për shqiptarët në kufi më shumë testime se sa shteti ynë bën në të gjithë vendin, pikërisht për të përmirësuar gjendjen aktuale e për të filluar lehtësimin e regjimit të kalimit të qytetarëve tanë në tërësi jo vetëm drejt Greqisë, por më tej dhe vendeve të tjera. Gjithashtu është i domosdoshëm edhe realizimi në nivel vendi minimalisht të 2500 testeve te tjera PCR ditore gratis, përveç disa mijëra serologjike.”
Tritan Shehu tha se është koha që kryeministri Edi Rama të mos fshihet më, por të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
“Rama nuk mund të fshehë përgjegjësitë e tij e as gjendja nuk përmirësohet duke u sjellë si një “ufo” i sapo arritur në Shqipëri, as si “struci”, apo vetëm duke ju lutur palës greke në këto momente shumë të vështira për sot dhe për nesër.”