Në Shkup të shtunën mbahet “Parada e Krenarisë”, organizuar nga Rrjeti Kombëtar kundër Homofobisë dhe Transfobisë.

Kjo është parada e dytë, që organizohet në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut nga komuniteti i Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve dhe Transgjinorëve (LGBTI).

“Kjo është një ngjarje nga dhe për komunitetin LGBTI, por edhe për të gjithë mbështetësit e luftës për trajtim të barabartë të të gjithë njerëzve. Krenaria është një protestë, por edhe një festë, në të cilën ne riafirmojmë shpresat për një shoqëri më solidare, më humane dhe më të drejtë”, thuhet në një komunikatë të organizatorëve të paradës.

Antonio Mihajllov nga komuniteti LGBTI, deklaron për Radion Evropa e Lirë se parada është mënyra e vetme për, siç thotë ai, “artikulimin e qëllimeve politike për avancimin e klimës pozitive dhe përfshirjen e shoqërisë në mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti.”

“Vetë emri Parada e Krenarisë do të thotë që ne u bëjmë thirrje personave LGBTI që të bashkohen me ne, për të treguar krenarinë e tyre, sepse ne jemi mësuar që në moshë të re e deri më sot të jetojmë me një ndjenjë turpi, me një ndjenjë frike, me një sens se diçka nuk shkon me ne, se jemi me të meta. Përkundrazi, ne duhet të përpiqemi, të përpiqemi, të paktën për disa orë, të jemi të lirë të jemi ata që jemi, të shprehim lirisht ndjenjat tona dhe të ndihemi të lirë”, ka deklaruar Mihajllov.

Për shkak të Paradës së Krenarisë së komunitetit LGBTI, i gjithë trafiku në Shkup është devijuar për të mundësuar parakalimin e këtyre personave, pa pengesa, ndërsa për të evituar incidente janë angazhuar forca të shumta policore.

Ky komunitet përmes një komunikate ka marrë mbështetjen e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.

Sipas tij, “komuniteti LGBTI ka mbështetjen e Qeverisë lidhur me kauzën për barazi që dëshmohet me manifestimin e lirshëm në shoqërinë tonë ku të gjithë janë barabartë.”

“Unë ndaj mendimin se askush nuk është i lirë derisa të gjithë të jenë të lirë sepse angazhimi ynë ‘një shoqëri për të gjithë’ do të realizohet plotësisht kur të dëgjohet çdo zë dhe më e rëndësishmja – të pranohet nga të gjithë të tjerët.

Ne po manifestojmë sjellje evropiane dhe solidaritet në mes të Ballkanit. Ky është Ballkani ynë i ri, i lirë, njerëzor dhe i larmishëm”, ka shkruar Zaev në rrjetin social Facebook.

Kreu i Qeverisë ka bërë thirrje për punë të përbashkët “për të shembur muret dhe për të krijuar një botë të re dhe më të mirë për të gjithë ne”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *