Autoritetet libaneze kanë nisur hetimet për zbardhjen  e plotë të shpërthimit që shkaktoi katastrofën më të madhe të ndodhur dekadat e fundit në vend.

Menjëherë pas shpërthimit, mediat raportuan se në port ishte akumuluar një sasi prej 2.750 ton nitrat amoni. Besohet se lënda kimike ka shkaktuar shpërthimin e madh njësoj si një bombë atomike.

Raportime të tjera flasin se në zonë mund të ketë pasur prani të lëndë eksplozivi e cila ka ndikuar në mega-shpërthimin, pasi para tragjedisë, ndërsa flakët dhe shtëllunga tymi dukeshin në zonë, ka pasur edhe plasje të fishekzjarrëve.

Mediat vendase rapotojnë se shpërthimi mund të ketë ndodhur si pasojë e shkëndijave gjatë saldimit të një objekti, të cilat provokuan zjarrin e më pas eksplozionin tragjik.

Prezenca e kimikateve në ajër ka detyruar ministrin e Shëndetësisë t’i kërkojë qytetarëve që kanë mundësi, të largohen nga qyteti, pasi rreziku i materialit të shpërndarë në ajër, mund të kenë efekte edhe vdekjeprurëse. 

Por dyshimet nëse shpërthimi ka qenë vërtetë aksidental janë shumë të mëdha.

Hipotezat e ngritura deri më tani flasin se ngjarja mund të ketë qenë një mënyrë për të shpërqendruar njerëzit nga vendimi I pritshëm për autorët e dyshuar të vrasjes se ish kryeministrit Rafic Hariri, më 14 shkurt të vitit 2005.

Ai u ekzekutua përmes shpërthimit të një makine bombë, ku humbën jetën edhe 22 persona të tjerë.

Një tjetër pistë është lufta midis fraksioneve të Hezbollahut: ky grup politiko-fetar, aleat me regjimin e bashal Al Asadit në Siri, nuk përjashtohet nga dyshimet se mund të ketë ndërmarrë një akt për të destabilizuar Libanin.

Por lëvizja ndërkohë ka mohuar përfshirjen në ngjarje.

Të tjerë mendojnë se ky është një sulm kundër një depoje armësh që i përket Hezbollahut dhe aleatëve iranianë, dhe përgjegjësia i atribuohet Izraelit ose vendeve të Gjirit Persik.

Por Ministri i Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi, mohoi spekulimet për përfshirje të Izraelit, duke thënë se shpërthimi ishte një aksident, si dhe ka kërkuar të bëhet kujdes me këto spekulime.

Dyshime për një ngjarje jo aksidentale ngriti edhe presidenti Trump, megjithatë hetimet pritet të sqarojnë plotësisht të vërtetën.

Ndërkohe, kryeministri libanez Hassan Diab u zotua se përgjegjësit do ta paguajnë shtrenjtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *