Trafikantët e drogës po shfrytëzojnë situatën e krijuar nga Covid 19 për të shitur lëndë narkotike përmes shpërndarësve të ushqimeve të shpejta.

Alarmin e ka dhënë INTERPOL i cili në një njoftim të publikuar në faqen e tij, ka paralajmëruar 194 agjencitë anëtare për “këtë formë të re të kriminalitetit”.

INTERPOL thotë se janë zbuluar raste kur substanca si kokaina, marihuana, ketamina dhe ekstazia, vendosen në kuti picash ose në mbështjellës të tjerë të ushqimit për të mbërritur në destinacion.

Raste të tilla janë zbuluar në Britaninë e Madhe, Spanjë, Irlandë dhe Malajzi, por nuk përjashtohet mundësia që i njëjti fenomen mund të ndodhe edhe në vendet e tjera që kanë marra masa për shkak të Covid 19.

Sipas INTERPOL, dërgesat e lëndëve narkotike janë bërë përmes shpërndarësve të ushqimeve të shpejta, të cilët përdorin biçikleta, motoçikleta ose makina.


Në Spanjë, fenomeni është spikatur në fillim të prillit. Autoritetet kanë vënë në pranga 7 persona pasi u paraqitën si shpërndarës ushqimi, por pas kontrollit, policia zbuloi lëndë narkotike brenda çantave të tyre. 

Në Irlandë policia vendase ka zbuluar 8 kg kokainë dhe 2 pistoleta brenda një kutie picash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *