Subscribe

Prej vitit 1996 Jozefina Topalli ka përfaqësuar Partinë Demokratike në parlament, prej 28 tetorit Topalli ka vendosur të hapë një faqe të re në skenën politike shqiptare me Lëvizjen për Ndryshim. Në një intervistë për “Vizion Plus” Topalli shpjegon se e nisi këtë lëvizje për një arsye të thjeshtë, Partia Demokratike nuk ekziston më.

 

JOZEFINA TOPALLI 

LEVIZJA PER NDRYSHIM

“Është marrë në njëfarë mënyre peng i interesave private të dikujt edhe nuk ka pothuaj asgjë nga qëllimet nga ëndrrat, nga parimet dhe nga vlerat për të cilat ajo ka lindur. Në këto kushte pavarësisht kësaj zhveshjeje nga ajo që ishte sublime në këtë forcë politike, demokratët janë po aty, ata ëndërrojnë po të njëjtat gjëra; duan vendin e tyre që të mos lëngojë, të shpëtojë nga situate ku është futur, por që nuk gjejnë përfaqësim dhe janë pa alternativë.”     

Lëvizja do të jetë e qendrës së djathtë e synon të afrojë çdo kënd që nuk ndihet i përfaqësuar nga lidershipi aktual i PD. Topalli synon të përballet me 3 kryetarët e forcave kryesore në vend: Edi Rama, Lulzim Basha e Ilir Meta duke shpallur si betejë kryesore, betejën kundër korrupsionit.

 

 “Ka një korrupsion që shkon mbi 2 miliardë dollarë për 8 vitet e fundit. Këto janë shifra të frikshme dhe që e venë vendin tonë përballë dy zgjedhjeve, ose dy mundësive; njëra është dramatike që rrezikon të na çojë në destabilizim se e keqja nuk ka fund  dhe e dyta në shansin për të ndryshuar dhe për të shkuar drejt ngjitjes. Sigurisht që krijimi i një alternative kundër 3 kryetarëve që janë përgjegjës për gjendjen në të cilën janë sot shqiptarët dhe vendi ynë. Është një mundësi për të përfaqësuar të gjithë ata që nuk ndihen të përfaqësuar.”

 

Por tashmë që ka nisur këtë rrugëtim, Topalli nuk heziton të numërojë edhe gabimet e qeverisjes së PD deri në 2013, që janë shumë sipas saj duke nisur nga çështja e pronave, tek arsimi, administrata, por edhe shëndetësia.

 

 “Të cilën ia kemi lënë aleatëve. Sistemi shëndetësor nuk mund t’i lihet aleatëve. Sistemi shëndetësor, pavarësisht se janë futur fonde të mëdha në sistemin e asaj periudhe, duhet ta kishim marrë si përgjegjësi nga PD, por janë të pashmangshme të tilla gabime.”

 

Topalli e ruan komunikimin me ish-kryeministrin Berisha edhe pse këto ditë nuk ka folur me të.

 

 “Jo, këto ditë jo. Pavarësisht se komunikimi është i përhershëm më ish-kryeministrin Berisha.”

 

Beteja për 25 prillin do të bashkojë në një aleancë Topallin e ish-nënkryetarin tjetër të PD Astrit Patozi, por edhe forca te tjera.

 

 “Në këto kushte asnjëri nuk ka luksin të përjashtojë asnjërin, të gjithë bashkë më një drejtim të ri të pakorruptuar. Vetëm një kusht, të jetë i pakorruptuar, ne jemi të gjithë bashkë dhe e kemi aq të lehtë për të larguar qeverinë e për të ndryshuar.”

 

Por në këtë moment Topalli ka pasur një apel për të gjithë demokratët, të heqin Lulzim Bashen e të bashkohen për të rrëzuar qeverinë Rama.

 

 “Jemi ende në kohë për t’i bërë ftesë udhëheqjes se PD, nëse ata do të kenë përgjegjësinë, ndërgjegjen sociale dhe politike, vërtet për të larguar Edi Ramën dhe për të sjellë një ndryshim në Shqipëri nesër; ata duhet të gjejnë një drejtim të ri dhe të pakorruptuar  nëse një gjë e tillë do të ndodhë, dhe është gjëja minimale që mund të bëjmë  nëse e kanë vërtet qëllim të tyre rrëzimin e qeverisë  së sotme, ato e kanë shumë të thjeshtë, sepse brenda kësaj force politike ka njerëz me integritet, ka njerëz të edukuar që mund ta bashkonin të gjithë spektrin politik për të filluar një kapitull të ri.”   

 

Sipas Topallit pa një lidership te korruptuar si Basha , opozita ka te gjitha mundësitë për te fituar zgjedhjet e 25 prilli.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *