Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vendosë të mërkurën masat e reja shtrenguese kundër përhapjes së virusit. Shkak është bërë rritja e shifrave të të infektuarve.

Në një lidhje me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini tha se numri i infektimeve dhe tendenca e pozitivitetit ka qenë në fokus të ekspertëve, me qëllim vlerësimin e situatës dhe ndërhyrjen e masave.

“Komiteti do të gjykojë mbi këtë situatë epidemiologjike dhe klinike të rasteve, por duhet të thekojmë që numri i infektimeve dhe tendenca e pozitivitetit ka qenë në fokus të ekspertëve për të vlerësuar dhe ndërhyrjen e masave, sipas grupeve të riskut. Për vendime më specifike, Komiteti do të marrë një vendim nesër mbi shtrëngimin apo zvogëlimin e fashave të lëvizjes apo përkundrejt shtimit të orës policore.”

Sa iu përket rasteve të dyshuara të riinfektimit, Tomini shpjegoi: “Nga vlerësimi i ekspertëve ndërkombëtarë u pa se kishte dy faza: diferenca midis riinfektimit dhe riakutizimit. Që në krye të herës, nuk ishte e ndarë me thikë, nëse kemi raste infektimi apo riakutizimi. Me kalimin e muajve, janë konsoliduar mendimet që kemi një ekspozim të dyfishtë përkundrejt virusit.”

I pyetur se sa efektive rezultuan masat e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ajo theksoi se ato duhet të respektohen nga qytetarët dhe jo të neglizhohen.

“Masat e vendosura janë elemente lehtësuese për të minimizuar ritmin e infektimit. Mbajtja e maskës nuk duhet të mbahet në pjesën e mjekrës, e pastaj pretendojmë që mbajmë maskë. Këto masa ulin numrin e infektimve, nuk zhdukin virusin.”

Ndër të tjera, Tomini informoi se sasia tjetër e vaksinave pritet të vijë javën e dytë të muajt shkurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *