Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një komunikimi live në rrjetin e tij social Facebook, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të dhënë për një hapësirë publike “në zemër” të Thethit.
Ai ngriti pikëpyetje mbi vendimin e prokurorisë për të mos ndjekur penalisht autorin e kësaj shkeljeje, duke e akuzaur institucionin për neglizhencë dhe për mbrojtje të interesave të paligjshme në dëm të pasurive të përbashkëta të vendit.
Lexo edhe :
Related Posts
Edi Rama: Ky është Thethi pas një masakre të mirëfilltë të realizuar nga një individ i cili rezulton i paarritshëm nga krahu i ligjit. Thethi që është kartolinë e mrekullisë shqiptare dhe që është katandisur mu në zemër të tij në një territor “toke të xanun”. Si ka mundësi, si është e mundur që pasi, insektoriati përkatës dhe policia konstatojnë një ndërhyrje të tillë mu në zemër të asaj mrekullie të maleve shqiptare, dhe përcjellin rastin në prokurori, prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin, por vendos mosfillimin e çështjes. Duke qenë se kërkova të kuptoj më shumë, u ndesha me një vendim të një prokuroreje zonja Gjeli, që më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë për të kuptuar se çfarë nuk arrija dot të kuptoja por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Dhe po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur Thethin, në cenim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur.
Rama thotë se i ka kërkuar ministrisë së Drejtësisë të veprojë ndaj prokurores, e cila sipas tij ka lënë në baltë qytetarët e republikës dhe është e padenjë për tu paguar nga taksat e shqiptarëve.
Edi Rama: Tani unë i kam kërkuar ministrisë së Drejtësisë të veprojë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin dhe ka lënë në baltë qytetarët e republikës, ka lënë në baltë të gjithë ato struktura që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit dhe e cila është e padenjë për të qenë e paguar nga taksapaguasit si prokurore dhe kam kërkuar që çështja e saj t’i përcillet këshillit të lartë të Prokurorisë, i cili duhet të shikojë dëmin e madh që i ka sjellë mosfillimi i çështjes penale republikës dhe interesit publik dhe të gjykojë nëse zonja Gjeli është apo jo e denjë për tu paguar ende nga taksat e shqiptarëve si prokurore./vizionplus.tv






