Mbyllen në mënyrë tragjike pushimet për katër persona në bregdetin e Vlorës. Në vetëm pak orë, tre të rinj dhe një adoleshent u mbyten, pa mundur t’u jepet ndihma e duhur. Ngjarja ndodhi në Zvernec, në zonën e Portonovës, si dhe në plazhin pranë shkollës së Marinës.

 

Ngjarja më e rëndë ndodhi në Zvërnec, rreth orës 14:30 kur 25-vjeçarja nga Tirana Xhoana Cani ka kërkuar ndihmë se po mbytej. Teksa e ka parë të përpëlitej në ujë 24-vjeçari nga Tetova Beniamin Ferati, është futur në det, duke tentuar t’i vijë në ndihme, por pa rezultat. Në ndihmë të dy të rinjve ka shkuar edhe 27-vjeçarja Manuela Maraj, e cila fatkeqësisht së bashku me dy të tjerët nuk kanë mundur të dalë në breg.

 

E shtuna ishte tragjike edhe për  një 14-vjeçar, i cili u mbyt gjatë paradites. Viktima Endrit Bejkotaraj u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit bregdetar por, pa mundur të shpëtojë. Pavarësisht se ishin pushuesit e ata që i dhanë ndihmën e parë të riut, kjo gjë nuk mjaftoi. Nga hetimet e para rezulton se adoleshenti 14-vjeçar mund të jetë mbytur nga lodhja duke notuar pasi edhe deti kishte dallgë.

 

Gjatë javës së fundit edhe dy pushues të tjerë kanë humbur jetën në Vlorë. Në zonën e plazhit, që nga Zvërneci e deri në Orikum mungojnë rojet bregdetare, të cilat mund të ndërhyjnë në kohë në rastet kur rrezikohet jeta e pushuesve në det.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *