Subscribe

Tirana përkujtoi dhe festoi sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, që i paraprin morisë së aktiviteteve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, në kuadër të titullit Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022. Mes entuziazmit të të rinjve, këngëtarët Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Arilena Ara dhe Edea Demaliaj ishin vetëm disa nga artistët që ndezën Pallatin e Kongreseve, duke rikthyer këngët shqiptare të viteve ‘90.

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Tirana është gati të marrë stafetën e Kryeqytetit Europian të Rinisë për vitin 2022, ku nuk do të mungojë edhe mbështetja për projektet rinore.

 

“Tirana do të jetë jo vetëm një hapësirë për çunat dhe gocat e Tiranës, por një hapësirë për të gjithë çunat dhe gocat e rajonit, për t’ju thënë se Ballkani i hapur dhe një shtëpi e hapur është zemra që ofron Tirana për secilin prej jush. Tirana është në Ballkan, e di që mezi tolerohet diçka e bukur e asnjë nuk ta fal suksesin kaq kollaj, sidomos në politikë, por e vërteta është se ne ia dolëm e, pavarësisht stërkëmbëshave, jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë. Sot jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që na janë bashkuar nga qeveria e Shqipërisë, një qeveri e cila ka bërë shumë këto 8 vite, por më vjen mirë që jemi bërë të gjithë bashkë, qeveria lokale, qeveria qendrore, për t’u siguruar që do t’i kushtojmë një vit të tërë komunikimit, inkurajimit, financimit dhe dedikimit të projekteve rinore si kurrë më parë në këto 31 vjet”, nënvizoi Veliaj.

 

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe të rinjve aktivistë të partive politike, që të lënë pas politikën konfliktuale të viteve ’90. Ai i ftoi ata të bashkohen në aktivitetet e shumta që do të organizohen përgjatë 2022-it.

 

“Jemi shumë pak për t’u përçarë. Kur ne ndërtojmë një shkollë, nuk e ndërtojmë për ata të parties; në atë shkollë shkojnë të gjithë, edhe të majtë, edhe të djathtë. Ky vit i rinisë është për të gjithë, edhe për të majtë, edhe për të djathtë. Ai kampusi universitar është për të gjithë, edhe për të majtë, edhe për të djathtë. Këto evente artistike-kulturore janë për të gjithë, dielli ngroh për të gjithë. Pema e Krishtlindjes është ndezur për të gjithë dhe vetëm bashkimi mund të na çojë përpara. Në vitin 2021 nuk shkon të qënit kamikazë të partive politike, që sot janë duke luftuar për kolltukun e tyre, jo për interesin e rinisë. Nëse ke një ide ndryshe propozoje; nëse mendon se e bën këtë punë më mirë, kandido; nëse ka diçka që s’të pëlqen, voto edhe kundër, por stili i vjetër i viteve ’90, që ne pengojmë njeri-tjetrin, sabotojmë aktivitete e njëri-tjetrit për disa fosile të politikës në vitin 2021 nuk shkon. Ndaj, dora ime është e shtrirë, ftesa jonë është e hapur, krahët tona duan t’ju përqafojnë se jemi një”, theksoi ai.

 

Veliaj theksoi se nëse të gjithë arrijnë të punojnë sëbashku, atëherë mund të ndryshojnë  jo vetëm qytetin, por edhe Evropën. “Pyetja që kam është më e thjeshtë: A mund ta ndryshosh veten? Se nëse mund të ndryshosh veten tënde, mund të ndryshosh një klasë; nëse ndryshon një klasë, mund të ndryshosh një shkollë; nëse ndryshon një shkollë, mund të ndryshosh një qytet; nëse ndryshon një qytet, mund të ndryshosh një shtet e nëse ndryshon një shtet mund të ndërtosh ndryshimin në një rajon si Ballkani, e nëse ndryshon një rajon, mund të ndryshosh Evropën dhe botën. Ky është apeli ynë. Kjo është sfida jonë”, deklaroi ai.

 

Kryetari i Bashkisë renditi edhe disa nga projektet strategjike që janë parashikuar të realizohen në kryeqytet. “Jam shumë krenar për të gjithë ata që do të prezantojnë inovacionet dhe risitë e fundit të teknologjisë. Ne kemi filluar me qendrën “Tumo”, do vazhdojmë me Piramidën dhe me shumë projekte fantastike në çdo bibliotekë, ku do fokusohemi te kodimi dhe tek njohuritë digjitale. I përshëndes të gjithë të rinjtë sipërmarrës, ka çuna dhe goca fantastikë që kanë ide për një biznes që sot ndoshta janë në nivelin e start-up, por teksa synojmë që të jemi qyteti më inovator në rajonin tonë, ata do të promovojnë non-stop aktivitete që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit, me dizajnin edhe me gjithë njohuritë kreative”, tha Veliaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *