Skuadra e Tiranës mbylli përgatitjet mesditën e kësaj të shtune për ndeshjen përballë Teutës. Bardheblutëe do të kërkojnë të hakmerren pas Kupës dhe Superkupës të fituar nga Djemtë e Detit. Megjithatë tekniku Emmanuel Egbo shfaqet optimist në prag të sfidës ndërsa thekson se e njeh vështirësinë e kundërshtarit.
EMMANUEL EGBO
TRAJNERI I TIRANËS
”Njësoj si ndaj Kukësit, edhe ndaj Teutës luajmë kundër një kundërshtari që synon titullin kampion dhe do të jetë shumë e vështirë. E kemi vlerësuar maksimalisht dhe do të futemi në fushë për të bërë më të mirën dhe për të marrë fitoren.”
Mungesat tek bardheblutë vijojnë të jenë shqetësimi kryesor për trajnerin Egbo ndonëse edhe pa ta, skuadra ka dhënë sinjale të qarta për titullin kampion .
EMMANUEL EGBO
TRAJNERI I TIRANËS
”Vijojmë të kemi mungesat e 3-4 lojtarëve që janë të dëmtuar, por presim rikthimin e Bathës dhe Torrasës, që ishin të pezulluar. Të tjerët janë lojtarët që luajtën kundër Kukësit dhe që shpresojmë të jenë rikuperuar plotësisht, pasi vrapuan shumë dhe shpenzuan shumë energji. Megjithatë nesër të shohim kush do të luajë.”
Nga ana tjetër Skënderbeu premton do të jap maksimumin në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Pavarësisht mungesave dhe dilemave në formacion trajneri bardhekuq Julian Ahmataj thotë se fitorja është gjithmonë objektivi kryesor i skuadrës cilido qofte kundërshatri me të cilin luan.
JULIAN AHMATAJ
TRAJNERI I SKËNDERBEUT
”Në fushë do të bëjmë atë që dimë më mirë , do të provojmë të bëjmë maksimumin në fushë. Nëse do të luajmë si në ndeshjen me Teutën , mund të marrim rezultate pozitive. Dua të shoh një skuadër agresive deri në sekondën e fundit dhe të luftojë për cdo top.”
Ndërkohë takimet e tjera të javës janë Kukësi-Partizani, Laci-Kastrioti dhe Apolonia-Bylis.