Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diapsorës së Kosovës (MPJD) ka bërë të ditur se shtetasit e Kosovës, me të cilët janë në kontakt dhe që ndodheshin në jug të Turqisë, tashmë janë të sigurt nga tërmetet, ndërkohë numri i viktimave nga kjo fatkeqësi natyrore ka arritur në më shumë se 16 mijë.

 

Ministria, gjithashtu, bën të ditur se nuk ka studentë nga Kosova që studiojnë në zonën e prekur nga tërmeti.

 

Ambasada e Kosovës në Ankara thotë se një familje nga Kosova gjendet në Gaziantep, epiqendër e tërmetit, dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore. “Familja është evakuuar në një sallë sportive për shkak të dëmeve në shtëpinë ku banonin. Ata kanë blerë bileta të autobusit për t’u kthyer në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

 

Një delegacion i Federatës së Mundjes së Kosovës që ishte në Kahramanmarash ka shpëtuar pa pasoja dhe është larguar nga zona e prekur nga tërmeti.

 

Po ashtu, një qytetare e Kosovës me shtetësi gjermane, që ndodhej në Kahramanmarash gjatë tërmetit, ka kontaktuar ambasadën dhe është kthyer në Gjermani.

 

Të martën, më 7 shkurt, një nënë me vajzën e saj 4-vjeçare kanë kontaktuar numrat emergjentë të ambasadës për të kërkuar ndihmë për t’u kthyer në Kosovë, por kanë njoftuar se kanë humbur dokumentet e udhëtimit.

 

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, mbesin në komunikim me shtetasen në fjalë, për të parë opsionet e udhëtimit të saj për Stamboll dhe më pastaj për në Kosovë”, thuhet në njoftim.

 

Në mbrëmjen e datës 7 shkurt, Ambasada e Kosovës në Ankara është kontaktuar në numrin emergjent edhe nga një shtetas tjetër kosovar nga qyteti i Gaziantep. Sipas MPJD-së, ky qytetar është larguar nga ajo zonë për në Stamboll dhe më pas ka udhëtuar për Prishtinë me fluturim të rregullt.

 

Në mëngjesin e datës 8 shkurt, ambasada ka marrë njoftimin për një shtetas kosovar që jeton dhe punon në Gaziantep. “Ai dhe familja e tij kanë shpëtuar pa lëndime, dhe se me veturën e tyre janë nisur për në Ankara”, thotë ministria.

 

Edhe një shtetase e Kosovës ka arritur me aeroplan nga qyteti Gaziantep në Ankara, ku ekipi i ambasadës e ka pritur dhe i ka siguruar akomodim.

 

“Ambasada e Kosovës në Ankara dhe Konsullata e Përgjithshme në Stamboll do të vazhdojnë që edhe në ditët e ardhshme përmes kanaleve zyrtare dhe jozyrtare të hulumtojnë për shtetas të tjerë që eventualisht mund të jenë në zonat e prekura nga tërmeti”, thuhet në njoftim.

 

  • Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
  • Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

 

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë është në Turqi duke ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit që nga 6 shkurti, kur u godit nga tërmete të fuqishme vdekjeprurëse./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *