Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtareve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetareve në veri të Kosovës.

AI shkruan se në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Sipas tij, vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës.

“Me mendje e zemër jam me policët e Republikës së Kosovës, të cilët, në një situatë aspak të lehtë dhe shqetësuese për sigurinë e tyre, për të gjashtën ditë me radhë po qëndrojnë në krye të detyrës, në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë.

Sulmet ndaj institucioneve tona, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës. Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim.

Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht. I bëj thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe partnerëve tanë strategjik, që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj qasjeje, që përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit tonë shtetëror dhe rendit tonë kushtetues.
Shteti i Kosovës është produkt i vullnetit për liri. Rruga për jetësimin e shtetit ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, rrjedhimisht e përhershme dhe e pakthyeshme. Përgjegjësia për të është përgjegjësi kombëtare e jo vetëm politike. Presim dhe jemi të gatshëm të mbështesim një qasje që reflekton përgjegjësi shtetërore për menaxhimin e situatës së krijuar”, shkruan ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *