Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, është shprehur se SHBA po punon për të arritur një konsensus ndërkombëtar në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ndaj dy anijeve çisternë në Gjirin e Omanit.

 

Në fjalën e tij para gazetarëve Shanahan ka thënë se Irani nuk është një problem vetëm i Shteteve të Bashkuara, por se tashmë ai është një problem ndërkombëtar.

 

Ndër të tjera shefi i Pentagonit ka theksuar se për shkak të rëndësisë së Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e karburantit të botës, ushtria amerikane po harton edhe plane veprimi në rast se përkeqësohet situata.

 

Ndërkohë një ditë më parë ushtria amerikane qarkulloi filmime ku duket një anije ushtarake iraniane që i afrohet anijes çisternë japoneze për të tërhequr një minë detare të pashpërthyer.

 

​Megjithë mohimet e Teheranit, Presidenti amerikan Donald Trump fajësoi dje Iranin për sulmet ndaj dy çisternave të naftës. Presidenti Trump i tha kanalit Fox Neës, se “Irani e ka bërë” këtë sulm dhe shtoi se përpjekjet e Iranit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit nuk do të dalin me sukses. Presidenti Trump i diskutoi sulmet edhe gjatë një bisede telefonike me kryeministrin japonez Shinzo Abe, i cili sapo pati vizituar Teheranin, në një përpjekje për të ulur tensionet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *