Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Dorian Teliti deklaroi këtë të premte se qeveria ka dhënë 890 mijë euro për inceneratorin e Tiranës.

Ai tha se kjo është një provë e qartë se shteti ka të ardhura, por thjesht zgjedh t’i dërgojë ato tek oligarkët dhe miqtë e vet.

“Qeveria nuk “zhgënjen” asnjë ditë. Me tërmet apo pa tërmet, me Covid apo pa Covid, trajtimi preferencial ndaj miqve nuk ndryshon asnjëherë. Vetëm dje, Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesën e radhes nga thesari i shtetit. Vetëm dje janë paguar 890 mijë euro për këtë PPP. Gjatë 5 muajve të pandemisë (nga 10 marsi e deri më sot), ky koncesionar mik i ngushtë i qeverisë ka marrë nga taksat tona plot 3.9 milionë euro.”

Dorian Teliti bëri thirrje në rrjetet sociale që kjo situatë të marrë fund sa më parë.

Sipas tij, duhet të ndalohet vjedhja dhe varfërimi që po u bëhet çdo ditë shqiptarëve.

“Boll më. Mjaft me grabitjen dhe varfërimin e shqiptarëve. Normaliteti, konkurrenca e lirë dhe e ndershme, vëmendja ndaj nevojtarëve dhe klimë pozitive për bizneset, mbështetje të ekonomisë dhe sektorëve të saj, janë sot kolonat kryesore të programit ekonomik të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar dhe në momentin që do të jemi në drejtim të punëve, ato do të bëhen realitet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *