Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e pestë. Të paktën 1,097 civilë janë vrarë në Iran që nga fillimi i sulmeve SHBA-Izrael të shtunën, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA.
Jeta Gami, një shqiptare e cila jeton në Izrael, ka treguar për emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus se situata mbetet e tensionuar, ndonëse ditët e fundit intensiteti i sulmeve ka qenë më i ulët krahasuar me fillimin e përplasjes.
“Sot në orën 06:00 kemi pasur sërish sulme nga Irani dhe Hezbollahu. I gjithë Izraeli u vu në shënjestër, nga veriu në jug, por fatmirësisht raketat u interceptuan në ajër,” shprehet ajo.
Sipas saj, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Izraeli ka një sistem të organizuar alarmi dhe mbrojtjeje civile. Në momentin që lëshohen raketat, qytetarët marrin njoftime të menjëhershme dhe drejtohen në dhomat e sigurimit.
Ajo shton se jeta e përditshme është paralizuar: gjithçka është e mbyllur dhe lëvizjet janë të kufizuara.
“Irani nuk zgjedh objektiva specifike, raketat bien në zona të ndryshme. Ne jemi mësuar me këtë realitet, jemi rritur me sirenat dhe dimë si të veprojmë,” thotë ajo, duke theksuar se frika mbetet e pranishme, pasi një raketë e vetme mund të shkatërrojë një lagje të tërë.
Jeta Gami: Te ne janë të papritura sulmet e Iranit, ditët e fundit ka pasur më pak sulme. Kjo ndoshta tregon një farë dobësie të Iranit pas tre ditësh që ishin shumë të ashpra. Megjithatë sot në orën 06:00 kemi pasur sulme nga Irani dhe Hezbollahu. Izraeli ishte i gjithi i sulmuar nga veriu në jug. Por të gjitha raketat u plasën në ajër.
Çfarë ndodh në rast sulmi? Bien sirena alarmi?
Jeta Gami: Disa izraelitë që janë në Dubai në këto momente e ndiejnë ndryshimin çdomethënë lufta në Izrael dhe në shtetet e tjera arabe, të cilët nuk kanë sirena, nuk kanë njoftime, vetëm dëgjojnë zhurmën e bombave, raketave që plasin. Tronditen shumë. Ndërsa në Izrael është mëse e organizuar. Në shtëpi kam dhomën e sigurimit, nuk duhet të dal jashtë. Ne marrim sinjalizim që të gjithë, në momentin që Irani lëshon raketat.
Është një dhomë e zakonshme, me lodra kalamajsh, ushqime. Është një dhomë e siguruar që nuk rrezikohet. Në Izrael nuk ka shtëpi ku nuk ndërtohet dhoma e sigurimit për luftën. Në çdo shtëpi që ndërtohet, fillimisht ndërtohet dhoma e sigurimit. Jeta tani nuk vazhdon normalisht. çdo gjë është e mbyllur. Irani nuk pyet ku gjuan, gjuan në të gjithë Izraelin. Ne jemi mësuar, jemi edukuar me luftën, dimë si të sillemi në momentin e sirenave. Edhe kur jemi jashtë dimë si të sillemi. Një raketë iraniane zhduk një lagje të tërë.





