Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata paralajmëroi një tjetër kallëzim në SPAK për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Gjata deklaroi për mediat se padia do të dorëzohet të hënën dhe të paditurit kryesorë do të jenë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Demokratët presin që SPAK të vendosë drejtësi.

“Prokuroria duhet të kishte vepruar për arrestimin e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin me shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 Maj. Duke qenë se Prokuroria nuk ka sy të shohë vetë krimet e Edi Ramës, Partia Demokratike do të depozitojë nesër një kallëzim penal për krimet e kryera tek Teatri. Janë të paktën 9 vepra penale që janë konsumuar me shkeljen e ligjit për shembjen e Teatrit, duke nisur që nga shkatërrimi i pronës, tek shpërdorimi i detyrës apo korrupsioni i zyrtarëve. Në kallëzimin qe do të dorëzohet nesër në SPAK në krye të listës me shumë emra të zyrtarëve që duhen hetuar janë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Vendosja e drejtësisë për Teatrin është një provë e rëndësishme për funksionimin për funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.”

Çlirim Gjata tha se opozita ka në dorë filmime që tregojnë forcat e policisë me automatikë natën kur u shkatërrua godina.

“Të gjithë pamë sesi qindra forca policore, të pajisur me mjete të operacioneve anti-terror, me armë të rënda zjarri, dhunuan mbrojtësit paqësorë të teatrit, artistët, aktivistët e shoqërisë civile, qytetarët, përfaqësuesit e opozitës së dhe gazetarët që po raportonin shembjen e paligjshme të veprës së shpallur si trashëgimi e kulturës europiane. Të gjitha këto janë të provuara me filmime, ku duken policët me helmeta të zeza që parakalojnë me automatikë, madje deri dhe brenda sallës së teatrit, duke nxjerrë jashtë artistët dhe qytetarët me forcën e tytave të armëve të zjarrit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *