Dy të rinj vriten për një kafe, krim tronditës në Manzë pas debatit për ekspresin, një nga autorët në kërkim

Debati për një kafe është bërë shkak për vrasjen e dy të rinjve në Manzë të Durrësit. Ngjarja tronditëse ndodhi rreth orës 01:45 të mëngjesit, në një lokal në afersi të një pike karburanti.
Daniel Pepa dhe shoku i tij Arianit Kurti hynë brenda dhe i kërkuan kamarierit Alteo Pepa që shërbente kafe, por ky i fundit u tha se e kishte fikur ekspresin.
Kaq mjaftoi që ai të përballej me fjalë fyese nga klientët. Në mes të debatit ndërhyri një tjetër i ri, Flori Paluçi, i cili i doli në mbrojtje kamarierit.
Brenda pak minutave konflikti verbal mes tyre degradoi në përdorimin e armëve. Sipas policisë, Flori Paluçi qëlloi për vdekje Arianit Kurtin 23 vjeç, dhe më pas Daniel Pepa i është përgjigjir me armë, duke lënë të vrarë Paluçin 33 vjeç.
Sipas dëshmisë së kamerierit ngjarja ndodhi jashtë ambienteve të lokalit.
“Ishte ora rreth 1:45 në momentin e ngjarjes ishin 5 persona, Daniel Pepa hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe ju thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai më ktheu se dua kafe patjetër dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por nderhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin. Më pas dëgjova të shtënat mes tyre dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha kamarieri.
Banorët e zonës ndihen të tronditur nga krimi i dyfishtë.
“Jo nuk dimë gjë. Na ka tronditur rëndë por ndodhi. Nuk di gjë pse ka ndodhur. I njihja, e kam pasur kushëri Aranit Kurtin”, tha një banor.
Autori i dyshuar, Daniel Pepa, 21 vjeç është aktualisht në kërkim, ndërsa forcat e policisë po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë për kapjen e tij.
Në polici ndërkohë janë shoqëruar edhe 7 persona, të cilët po japin dëshmi për ngjarjen.




