Subscribe

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Pak orë pas kërkesës publike të diplomates amerikane për distancimin e PD-së nga Berisha, ish-kryetari i demokratëve i ka cilësuar deklaratat e saj fyese.

“Unë dua t’i rikujtoj zonjës ambasadore se ke gabuar rëndë me barin që iu përmende demokratëve. Në këtë kontekst, shprehja juaj se PD nuk mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar të cilët citate të ngjashme i kanë dëgjuar vetëm në diktaturë apo nga racistë albanofobë.”

Berisha ka theksuar se nuk do të dëgjojë mesazhin e Shteteve të Bashkuara për t’u larguar nga Parlamenti.

“Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptar në mbrojtje të interesit kombëtar dhe publik të shqiptarëve.”

Berisha ka sulmuar sërish Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken, i cili firmosi shpalljen non-grata të ish-kreut të PD.

“Duke shprehur bindjen se vendimi është një abuzim i pastër me ligjin e Kongresit të SHBA, përdorimin e tij si armë kundër kundërshtarëve politik të multimiliarderit George Soros dhe mikut të tij të ngushtë Edi Rama, unë pavarësisht nga këto përsëri ftoj Sekretarin Blinken t’i bëj  gjithçka publike.”

Që prej vendimit të sekretarit Amerikan të Shtetit për ta shpallur non-grata, Sali Berisha, në çdo deklaratë ka theksuar se do të jetë në Parlament në shtator si deputet i Partisë Demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *