Subscribe

Në valën e shtrenjtimit të çmimeve dhe shërbimeve në vend, propozimet e fundit të qeverisë në paketën fiskale që prekin sektorin bujqësor do ta rëndojnë edhe më tej situatën.

 

Ky është paralajmërimi që vjen nga industria agro-përpunuese, kur flitet për TVSH 10% që kërkohet të vihet për inputet bujqësore me argument luften kunder informalitetit.

 

DONJALDO HOXHA

INDUSTRIA E PËRPUNIMIT TË QUMËSHTIT

 

“Do të ketë ndikim direkt në kostot e lëndës së parë ushqimore për të gjitha fermat blegtorale në vendin tonë. Aktualisht që ne flasim, fermat po përballen me çmime të rritura për misrin, jonxhën, elbin dhe çdo produkt tjetër. Vendosja e kësaj takse nga 1 janari, do të bëjë që këto çmime të rriten akoma më shumë. Me rritjen e çmimeve dhe kostos së lëndës së parë, prodhimi vendas pengohet dhe nxitet vetëm importi.”

 

Nga ana tjetër, heqja e kompensimit 6% që prodhuesit bujqësorë përfitojnë aktualisht do t’i vendosë ata në një pozitë të vështirë dhe kjo do të reflektohet në rënien e prodhimit të lëndës së parë. Por si mund të shmanget kjo? Donjaldo Hoxha nga Industria e Përpunimit të Qumështit thotë se sytë duhet të hidhen te modelet e rajonit.

 

“Duhen marrë masa që të mbrojnë si produktin vendas, ashtu edhe industrinë e agro-përpunimit. Janë modelet e rajonit që janë shumë të thjeshta dhe shumë të qarta për t’u zbatuar. Është shumë e rëndësishme që TVSH në shitje të bëhet siç e ka rajoni, 5 ose 6% dhe që fermeri të mbështetet si në sasinë e qumështit të prodhuar, ashtu edhe në numrin e bagëtive që disponon, ashtu edhe në lindjet e reja.”

 

Pjesë e propozimeve të qeverisë është edhe që të vendoset taksë 100 lekë/kg për qumështin pluhur.

 

Mirëpo, një masë e tillë, për operatorët e fushës, vetëm sa nxit importin dhe jo prodhimin vendas, ashtu siç argumenton Ministria e Financave.

 

“Kjo është një masë që çuditi të gjithë sektorin. Duhet theksuar se i vendoset taksë qumështit pluhur si lëndë e parë, por asnjë taksë apo barrierë produktit  të importit që përgatitet a prodhohet me qumësht pluhur. Sektori i industrisë që prodhon me qumësht pluhur është i detyruar që të gjithë produktin ta marrë nga importi sepse bëhet i pakonkurrueshëm për tregun vendas. Njëkohëasisht theksojmë që qumështi pluhur nuk është kërkesa që ka industria e përpunimit të qumështit sepse prodhohet me qumësht të freksët dhe në asnjë mënyrë vendosja e kësaj takse nuk rrit prodhimin vendas.”

 

Masat që duhen marrë për të mbështetur drejtpërdrejt fermerin dhe industrinë agro-përpunuese janë imediate për përfaqësuesit e fushës, në rast të kundërt, sipas tyre, kolapsi nuk do të jetë larg.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *