Anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo është shprehur se rritja e çmimit të naftës me justifikimin e detyrimeve të Shqipërisë kundrejt BE është një gënjeshtër e pastër.

 

Ndër të tjera në deklaratën e tij për mediat Bozdo theksoi se me rritjen e re të çmimit të karburantit, paratë shkojnë dy herë në xhepat e oligarkëve të sektorit, ndërsa shqiptarët paguajnë dy herë të njëjtën gjë.

 

“Kjo është një gënjeshtër e pastër sepse Shqipërisë vërtet i kërkohet mbajtja e rezervave të sigurisë së karburantit, për t’u përdorur në rast emergjencash kombëtare, por kjo nuk është aspak gjë e re. Industria shqiptare e sektorit të naftës dhe gazit e ka patur detyrimin për të mbajtur këto rezerva që në vitin 1999, me ligjin që është ende sot ne fuqi.  Me amendimin që iu bë këtij ligji në vitin 2004, përcaktohet qartë se Industria duhet të mbajë rezervë sigurie të përllogaritur në 90 ditë shitje dhe konsum. Industria e ka plotësuar këtë kërkesë, dhe koston e mbajtjes së kësaj rezerve e ka transferuar prej 15 vitesh tashmë në çmimin final të karburantit për konsumatorët. Nuk është aspak e nevojshme që ky model të ndryshojë. Por qeveria kërkon ta ndryshojë modelin duke gënjyer shqiptarët. Gënjen kur thotë që është detyrim i BE-se, siç gënjen kur deklaron se çmimi i karburantit nuk do të rritet. Praktikisht, ajo do t`ia ribleje Industrise këtë sasi nafte me lekët e taksapaguesve, gjë për të cilen taksapaguesit kanë 15 vite që paguajne. Këto para shkojnë dy herë në xhepat e oligarkëve të sektorit, ndërsa shqiptarët pagujne dy herë të njëjtën gjë. Kjo është vjedhje e hapur!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *