Presidenti i Parlamentit Europian Tajani dhe zëvendës presidentja e Komisionit Federika Mogherini thanë se Shqipëria është një hap larg hapjes së negociatave për anëtarësim. Në prezencë të kryeministrit Rama, ata vlerësuan reformat të cilat afrojnë vendin me BE-në.

 

“Shqipëria është pjesë përbërëse e familjes europiane dhe nuk mund të konceptojmë një Evropë pa pjesëmarrjen e Shqipërisë. 2018 duhet të jetë viti i përshpejtimit të Shqipërisë, që tashmë ka mbërritur në dyert e hapjes së negociatave. Kuptohet që ky është një rrugëtim që kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve brenda klasës politike shqiptare. Shteti i së drejtës duhet të jetë një përparësi. Natyrisht ti Edi dhe vendi yt keni gjithë mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe besoj se vërtetë që të gjithë së bashku mund të bëjmë një punë shumë të mirë në interesin e bijve tanë”.

 

“Shqipëria progres të jashtëzakonshëm veçanërisht me reformat gjatë vitit të fundit. Jemi 100% në anën e Shqipërisë. Zgjedhja me të cilën ne përballemi si institucion është e qartë. Nuk duam të humbim rezultatet e viteve të një pune të përbashkët, një përparim pa kthim dhe nuk duhet të humbasim mundësinë që kemi dhe momenti besoj është tani. Besoj dhe ky është objektivi im politik, që në këto 3-4 muaj që do të vijnë, të kemi një rekomandim të pakushtëzuar pozitiv nga Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe jo vetëm për Shqipërinë, dhe së dyti, për të bërë që Këshilli Evropian të vendosë në qershor që të çelen negociatat”.

 

Në takimin “Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian”, kryeministri Rama tha se Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Të gjitha kriteret janë plotësuar, nënvizoi kreu i qeverisë.

 

“Shqipëria nuk po kërkon ndonjë gradë, nuk po kërkon as favore që nuk i meriton. Po kërkojmë thjesht çeljen e negociatave, sepse i meritojmë. Kemi bërë një nga një çdo gjë është shkruar në fletoren e shtëpisë. Nuk i kemi bërë këto gjëra se Brukseli i kërkon, por sepse është e mirë për vendin tonë dhe brezat e ardhshëm. Por të gjithë që jemi këtu të bëjmë të kuptojmë se çelja e negociatave nuk është krijimi i një problemi të ri potencial, por nisja e një procesi për ta bërë më të mirë Europën”.

 

Shefi i ekzekutivit shqiptar, kërkoi nga Brukseli të jetë koshient ndaj gjithë problematikave të së shkuarës së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

“Për arsye të thella kemi kaluar konflikte dhe luftëra. Një rajon që ka një strukturë komplekse fetare dhe etnie. Hapësirë që aktorë të tjerë të bëjnë ndërhyrje potenciale me një vizion mjaft të qartë gjeostrategjik. Kështu nuk duhet të harrojmë se çfarë është arritur, dhe që e ardhmja të mos mbetet peng i fantazmave te së shkuarës. Gjithkush sot i flet gjithkujt në rajon. Kjo nuk ndodh se jemi më të mirë se paardhësit tanë, por sepse jetojmë në një hapësirë ku kemi një fjalë kyçe të përbashkët Europa”.

 

Më herët gjatë ditës, kryeministri Rama është takuar edhe me komisionerin për zgjerim Johannes Hahn, ku u diskutua progresi i qëndrueshëm në përmbushjen e prioriteteve kyçe të integrimit. Po ashtu, Rama pati një takim edhe me homologun belg Charles Michel, i cili mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë, duke nënvizuar ecurinë pozitive të reformave, në funksion të çeljes së negociatave për anëtarësim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *