ndihmon serben

Shqiptari ndihmon serben e moshuar që jeton e vetme

Raportet mes shqiptarëve dhe serbëve vazhdojnë të jenë të tensionuara, vite pas luftës në Kosovë. Por në një fshat të Prishtinës politika, problemet etnike dhe dallimet fetare midis fqinjëve nuk ekzistojnë. Për shumë vite Fadil Rama ndihmon një të moshuar serbe 92 vjeçare që jeton e vetmuar dhe pa përkujdesje. Kështu ai po nderon sikur të ishte nëna e tij, gruan që thotë se e trajtoi si fëmijën e saj, gjatë dhe pas luftës. Blagica Diçiç, është një e moshuar 92 vjeçare që jeton e vetme në një fshat të largët në lindje të Kosovës, e braktisur nga të gjithë fqinjët e saj serbë. Ajo jeton në një shtëpi të dëmtuar në malet e fshatit Vaganesh, 45 kilometra larg kryqytetit të Prishtinës. Atë nuk e viziton asnjë familjar i saj. “Jam e vetmuar. Djali im Djordje është në Beograd, shumë larg. Slobodani, djali tjetër, është në Kamenicë dhe ka gruan e sëmurë”, thotë zonja Diçiç. Ajo thotë se Djordje nuk ka një dhomë për të në Beograd ndërsa djali i vogël që jeton në Kamenicë kujdeset për gruan e paralizuar prandaj nënën e takon shumë rrallë. Është Fadil Rama, shqiptari që jeton një kilometër larg në fshatin Strezovcë, ai që kujdeset për të. Askush nga autoritetet lokale, shqiptare apo serbe, nuk kanë ofruar ndihmë për zonjën Diçiç. E moshuara serbe nuk e mban mend kur ishte hera e fundit që pa djalin e saj Djordjen, por ajo e quan Fadilin djalin e tretë të saj. “Më ndihmon të ha dhe pi, edhe pse është e kotë sepse unë nuk mundem as të ha e as të pi”, thotë zonja Diçiç, ndërsa është e shtrirë në krevat dhe e mbuluar me dy batanije.
më shumë...