Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, është arrestuar sot me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shpërdorimi detyre, pastrim parash dhe korrupsion për inceneratorin e Elbasanit.
Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, deklaroi se Koka nuk është i vetëm në këtë akt korruptiv.
“Sot SPAK arriti të ketë një arrestim për ish-ministrin Lefter Koka. Por Koka nuk ka vepruar i vetëm. Inceneratori i Tiranës, Elbasanit dhe Fierit është një skemë korruptive, mafioze që përfshin më shumë se Kokën. Është ministri Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri dhe tre kryebashkiakë, por jo pa mbështetjen e Ramës, i cili e ka çuar grupin parlamentar të PS përpara inceneratorit të Elbasanit për të mbrojtur atë. Nëse kjo mbrojtje politike që iu sigurua nga Rama nuk materializohet me arrestime të tjera nga SPAK, atëherë Koka është një e dhjeta e kësaj historie.”
Tabaku u pyet edhe për takimin e Bashës me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, të vendeve të BE dhe Britanisë së Madhe, pas tensioneve në Partinë Demokratike.
“Ishte një takim i përbashkët i realizuar në ambientet e PD. Nuk e kam kurrë zakon që të tregoj se çfarë është biseduar me ambasadorët. Prezenca e tyre aty flet më shumë se çdo fjalë që unë mund të them…Shpresoj që këto ditë të vështira për demokratët të kalojnë sa më shpejt.”