Efektiviteti i vaksinës së prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNtech është vërtetuar tashmë edhe në botën reale, në një kohë kur janë vaksinuar më shumë se gjysmë milioni njerëz në grupmosha dhe kushte të ndryshme shëndetësore.

 

Në një studim të udhëhequr nga autoritetet në Izrael dhe nga universiteti i Haruardit, gjithashtu është konfirmuar se kjo vaksinë është shumë efektive në parandalimin e rasteve serioze ose të vdekjes, edhe vetëm pas një doze.

 

Sipas mjekëve, këto të dhëna hapin rrugën që të konsiderohet një strategji e vaksinimit të një numri më të madh të njerëzve, vetëm me një dozë, sa më shpejt që të jetë e mundur, raporton Vizion Plus.

 

Ndërkohë, rregullatorët amerikanë të vaksinave kundër covid 19 kanë deklaruar se edhe produkti i kompanisë  Johnson & Johnson i cili injektohet vetëm në një dozë, ka rezultuar se është i sigurt dhe efektiv. Brenda pak ditësh pritet autorizimi i kësaj vaksine në SHBA, një alternativë me kosto më efektive sesa dy vaksinat e tjera të miratuara, dhe mund të ruhet në kushte frigoriferike.

 

Sa i takon situatës në Europë, Greqia dhe Spanja po kërkojnë me ngulm miratimin e shpejtë të një certificate vaksinimi për udhëtarët. Kjo ceshtje do të diskutohet sot në bllokun me 27 anëtarë por nuk mbështetet plotësisht nga Franca dhe Gjermania. Zyrtarët shprehen se kjo do të krijonte detyrim vaksinimi dhe mund të rezultojë diskriminues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *