Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka bërë thirrje aleatëve të ruajnë dhe forcojnë unitetin e tyre, duke thënë se organizata është garantuesi i vetëm i sigurisë evropiane dhe transatlantike.

 

Stoltenbergu gjatë një prononcimi për mediat është shprehur se NATO 70 vitet e fundit është bërë më e fuqishme, megjithatë ka edhe situate të ndryshme dallimesh midis aleatëve për çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike, marrëveshja bërthamore me Iranin, dhe situata në verilindje të Sirisë.

 

Këto deklarata ai i bëri në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët synojnë të përfundojnë përgatitjet për samitin e muajit të ardhshëm në Londër, shkruan rel.

 

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, në takimin e tyre, do të diskutojnë çështjet strategjike të Aleancës, përfshirë “Rusinë, ndikimin në rritje të Kinës, të ardhmen e kontrollit të armëve dhe sigurinë e energjisë”, tha Stoltenberg.

 

Takimi do të trajtojë gjithashtu rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit, përfshirë misionet e tij në Afganistan dhe Irak, për të cilat Stoltenberg tha se “vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e ringjalljes” të Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera ekstremiste.

 

Sekretari i Përgjithshëm tha se përpjekjet e NATO-s për të luftuar kërcënimet për sigurinë kibernetike dhe dezinformimit, do të jenë gjithashtu në agjendë dhe njoftoi se “ekipi i parë i ndihmës” është në Mal të Zi këtë javë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *