Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i vënë nën akuzë nga SPAK, do të përballet me Gjykatën Antikorrupsion për koncesionin mbi 100 milionë euro të sterilizimit te pajisjeve kirurgjikale.
Gjyqtarja, Flojera Davidhi vendosi që t’i kalojë për gjykim dosjen, ndërsa brenda seancës, i pandehuri Beqaj shpërtheu në akuza edhe ndaj gjyqtarit që caktoi masën e sigurisë, Erion Bani, duke iu thënë se do t’i denoncojë të dy.
“Ju nuk keni asnjë ngurrim që ashtu si dhe gjyqtari Erjon Bani, të përfitoni sa të mundni personalisht dhe mediatikisht nga kjo çështje dhe nga emri im. Në popull, ju doni të dilni si gjyqtarja që dhatë drejtësi. Që orientuat hetimet në shinat e duhura. Që zbuluat atë që prokuroret e fshehën. Në fakt, është e kundërta. Ju i prishët të gjitha. Me hetime, me proces e me akuza në mënyrë të paligjshme. Për të gjitha sa më sipër, unë nuk mbrohem dot, por vetëm mund të denoncoj”, tha Beqaj.
Beqaj tha se ndaj tij, çdo vendimmarrje e gjykatës është e ndikuar politikisht.
“Ju keni qenë e ndikuar në këtë proces dhe vendimmarrja juaj e vërteton këtë. Ndikimi është dukshëm politik, konformist, personal dhe shoqëror. Vendimmarrjen tuaj e ka duartrokitur si Sali Berisha ashtu dhe Albana Vokshi, sepse ju keni mbështetur akuzat e tyre politike. Ndërkohë, vendimmarrja juaj i shkon për shtat edhe vendimmarrjes se mëparshme të paligjshme te Gjyqtarit Erion Bani paçka se çdo gjë tani është parashkruar. Ç’rëndësi ka nëse unë kam vjedhur apo jo. Në të vërtetë e rëndësishme është që PD të ketë tani gojë të pretendojë që unë jam hajdut sepse deri më tani dhe shpërdorimi i detyrës nuk arrinte të mbante dot veten në këmbë”, tha Beqaj.
Sot, ish-numri një i Shëndetësisë, u tërhoq nga kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar, në atë të zakonshëm pasi kërkon të provojë pafajësinë.
Në 23 dhjetor, gjyqtarja Flojera Davidhi i kërkoi SPAK që ndaj Ilir Beqajt, vartësit të tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, të rikualifikohet vepra penale për çështjen e Sterilizimit, pasi vetëm shpërdorimi i detyrës nuk është i mjaftueshëm.
Gjykata i kërkoi prokurorit të posaçëm, Edvin Kondili, zëvendësimin e akuzës së mëparshme me atë të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Por jo vetëm kaq, të tre të pandehurit tashmë akuzohen se vjedhjen përmes shpërdorimit e kanë kryer si grup i strukturuar kriminal.
Ndryshimi mes akuzave është në vitet e dënimit: nëse të pandehurit shpallen fajtorë. Kështu, shpërdorimi i detyrës ka një marzh dënimi deri në 7 vjet, ndërsa vjedhja duke shpërdoruar detyrën, parashikon dënimin deri në 10 vjet heqje lirie./vizionplus.tv