E diel, 11 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Spiropali vlerëson luftën ndaj korrupsionit! Ministri Manja: SPAK, arritja më e prekshme e Reformës në Drejtësi. Gonzato: Reforma ndikoi te negociatat me BE

U mbajt sot në Tiranë tryeza e diskutimit me temë “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në Funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësinë dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin kreu i SPAK, Altin Dumani, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato si dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.

Reklamë

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se SPAK është një nga arritjet më të prekshme të reformës në drejtësi, një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.

Manja: Përgjegjësi për mua të marr pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm, që prek një nga çështjet më themelore të reformës në drejtësi: balancën mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë penale, me fokus të veçantë në rolin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK. Reforma në drejtësi, e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ka pasur si objektiv kryesor ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efektiv. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme – një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.

Reklamë

Por, siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë. Ministria e Drejtësisë, si pjesë themeltare e kësaj arkitekture ndërinstitucionale, ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit të balancuar të sistemit – për të siguruar që institucionet të kenë burimet, rregullimin dhe mbështetjen e nevojshme për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.

Spiropali vlerësoi arritjet në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe theksoi nevojën për të bërë më shumë në këtë drejtim.

Spiropali: Kuvendi i Shqipërisë ndan të njëjtin vlerësim e mbështetje me Raportin e Komisionit Europian për nevojën e progresit thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë; Për arritjet e deritanishme dhe vijimin e hetimeve në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, si një prioritet i rëndësishëm; Për pavarësinë e plotë të institucioneve të përfshira në luftën kundër korrusionit dhe inkurajimin e forcimin e kapaciteteve të tyre operacionale dhe investiguese; Për thirrjen për ndalimin e avazit të etiketimeve e sulmeve gati të përditshme, që synojnë të intimidojnë, ndikojnë dhe minojnë punën e SPAK-ut. Për rritjen e mbështetjes dhe të besimit publik për gjyqtarët e prokurorët, si premisa për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ndërsa ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato u shpreh reforma në drejtësi ka dhënë kontribut shumë të madh “për ecurinë që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE”.

Por theksoi se ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme.

Gonzato: Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë, llogaridhënies dhe ka dhënë edhe një kontribut shumë të madh për ecurinë e mrekullueshme që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë veçanërisht në zbatimin e kësaj reforme. Vazhdojmë të inkurajojmë të gjithë institucionet përkatëse duke përfshirë institucionet e pavarura të drejtësisë të vazhdojnë të punojnë duke pasur këtë synim në mendje./vizionplus.tv 

Vazhdo të lexosh

Reklamë