Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka hedhur poshtë spekulimet e opozitës lidhur me një bllokim të vizave amerikane për shqiptarët, duke theksuar se SHBA nuk ka ndaluar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë.
Gjatë udhëtimit drejt Kievit, Spiropali sqaroi se nuk janë prekur vizat turistike, studentore, të biznesit apo vizitat familjare. Sipas saj, ka ndryshuar vetëm politika amerikane e imigracionit për lejet e qëndrimit, në kuadër të një rishikimi që prek 75 vende, përfshirë disa nga Ballkani Perëndimor.
Ajo theksoi se Shqipëria mbetet aleate dhe partnere strategjike e SHBA-së dhe se pretendimet për “lista të zeza” janë trillime politike.
Reagim i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë udhëtimit me tren për në Kiev, ku do të pritet nga Presidenti Volodymyr Zelensky dhe Ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha:
Mirëmëngjes nga një udhëtim i gjatë drejt Kievit, ku do të jem në një vizitë zyrtare për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë në krah të Ukrainës, në kushtet e sulmeve masive që targetojnë infrastrukturën kritike dhe popullatën civile në mes të një dimri të egër.
Kam ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA.
Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.
Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!
Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.
Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.
Pra nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.
Pra shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh.
Ju përshëndes dhe ditë sa më të mbarë.
/vizionplus.tv





