Spanja dhe Anglia do të diskutojnë të dielën në mbrëmje trofeun më të rëndësishëm kontinental të futbollit. Kampionati europian do të vendoset në duelin e  Berlinit. Surprizë të madhe në çiftin e finales nuk ka, edhe pse ekipet hynë ndryshe në këtë europian dhe patën gjithashtu ecuri të ndryshme.

Spanja nuk u fut  superfavorite, edhe pse ishte në listën e skuadrave pretendente. Iberikët kanë zhvilluar një turne të shkëlqyer. Përjashtimi i vetëm është pjesa e dytë kundër Gjermanisë në çerekfinale ku vuajtën pa masë agresivitetin e pancerave.

Në të gjitha ndeshjet e tjera pastaj kanë dominuar duke nisur që nga grupi i hekurt me Kroacinë, Italinë dhe Shqipërinë, pastaj ndaj Gjeorgjisë modeste, pjesën e parë të shkëlqyer ndaj Gjermanisë dhe lojën e  bukur që solli fitoren me përmbysje ndaj Francës së yjeve.

Iberikët janë një ekip dominues me lojë të bukur, freski fizike gjithashtu dhe lojtarë shumë të talentuar sikurse Jamal, apo Niko Uilliams. Më 14 korrik kanë shansin të marrin titullin e 4 në histori dhe të jenë në krye duke parakaluar Gjermaninë që ka 3 kampionate europiane.

Anglia ndërkohë hyri si favorite e madhe në këtë turne, por ndryshe nga Spanja pati shumë oshilacione. Emrat shumë cilësore në organikë nuk i mungojnë, por loja e ekipit nuk ka qenë në lartësinë e pritshmërisë. Në disa raste ndeshjet janë zgjidhur nga individë të veçantë sikurse Belingamn dhe Saka. Edhe kundër holandez zhvilluan një ndeshje me dy fytyra..pjesë e parë e shkëlqyer dhe e dyta e vakët.

Anglezët kanë shumë uri për trofe pasi nuk kanë fituar asnjë kampionat europian. Mbetet për tu parë se cilës mbretëri do ti shkojë kurora europiane, mbretërisë spanjolle apo asaj britanike./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *