Shqipëria do të njohë sot në orën 18:00 rivalët e saj të fazës së grupeve në finalet e Kampionatit Europian që do të zhvillohet në Gjermaninë, qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm.
Shorti për evenimentin më të madh të futbollit në Europë do të hidhet në Hamburg. Ekipet e kualifikuara deri më tani janë të ndara në 4 vazo. Kuqezinjtë janë vendosur në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë.
Në vazon e parë një nga rivalët e mundshëm të përfaqësueses sonë, përveç Gjermanisë si ekipi pritës i Europianit, janë edhe Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia.
Ndërkohë në vazon e tretë kundërshtarët më të mëdhenj për tu evituar janë Holanda dhe Kroacia, ndërsa më të pranueshme janë patjetër Skocia, Sllovenia, Sllovaki dhe Çekia të cilën e mundën edhe në fazën kualifikuese. Në vazon e katërt të tria ekipet që njihen deri më tani janë për tu shmangur, konkretisht Italia kampione e Europës në fuqi, Serbia dhe Zvicra.
Rivali ideal për Shqipërinë i dalë nga vazo e katërt do të ishte një prej kombëtareve që do të kualifikohen nga play off i muajit mars të vitit të ardhshëm, ku janë ekipe si Greqia, Gjeorgjia, Polonia, Letonia, Ukraina apo Uellsi.
Përveç grupeve, sot do të përcaktohen edhe stadiumet në të cilat do të luhen ndeshjet e “Euro 2024”, ndërsa shitja e biletave nga Uefa për tifozët e skuadrave të kualifikuara do të nisë në 4 dhjetor .
Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në europian përmes një fazë kualifikuese fantastike si kryesuese e grupit, duke lënë pas rivale si Çekia dhe Polonia.






