Sot në mbrëmje është radha e të tjerëve emra big të kontinentit për të zbritur në fushë në kuadër të sfidave të javës së parafundit të fazës së ligës në Champions.
Vizion Plus sjell duelin klasik holandezo-gjerman mes Fejenord dhe Bajern.
Ndonëse janë dy skuadra që në këto kohë kanë shumë diferencë nga njëri-tjetri, në klasifikim janë dy ekipe shumë afër me pikë, ndaj dueli pritet të jetë shumë interesant.
Holandezët që luajnë para publikut të tyre kanë 10 pikë dhe duan të paktën të sigurojnë zonën Play Off, ndërsa Bajerni që ka 12 pikë e ka të domosdoshëm fitoren për të shkuar qetë tek sfida e fundit në shtëpi ndaj Slovan Bratislaves.
Veç kësaj përballje sytë e kontinentit janë tek dueli i milionerëve zhgënjyes të këtij sezoni deri tani në Champions.
PSG dhe Manchester City përplasen në Francë në një ndeshje ku humbja është e ndaluar.
Të dyja ekipet pavarësisht rezultateve sot dhe javën e ardhshme janë të destinuara të luajnë duele play off për të kapur fazën tjetër, por në rast se gabojnë mund ta shohin veten plotësisht jashtë.
Reali që aktualisht sikurse askush nuk e priste, është I 22 në renditje duhet të mposhte Salbuzrgun në Bernabeu, minimalisht për të vulosur kalimin në Play Off, pastaj nëse fiton edhe duelin e fundit duhet të presë rezultatet e tjerë për të kuptuar nëse mund ta mbyllë në 8 më të mirat, edhe pse shanset janë shumë të pakta. Ndryshe është historia e Milanit që e ka tërësisht fatin e vet në dorë.
Kuqezinjtë kanë 12 pikë dhe nëse mundin sonte Gironen në San Siro dhe Dinamon e Zagrebit javën e ardhshme në Kroaci, janë të sigurt direkt në fazën tjetër.
Problem më i madh i Milanit është emergjenca e lojtarëve pasi ka shumë mungesa.
Në të tilla kushte është edhe Interi, teksa Zikaltërit luajnë në transfertë kundër Spartës së Pragës ku luajnë disa shqiptarë, Qazim Laci, Indrit Tuci dhe jo vetëm. Zikaltërit kanë 13 pikë dhe kanë në dispozicion dy ndeshje për të shmangur duelet e Play Off. Takimet transmetohen në Tring dhe Vizion Plus./vizionplus.tv