Pronarët e një shtëpie funerali dhe dy nga punonjësit e tyre u arrestuan në Valencia, në Spanjën lindore, për trafikim të kufomave, duke i shitur ato për 1200 euro në shkollat e mjekësisë universitare, njoftoi policia të hënën.
Ata jepnin dokumente të falsifikuara për të marrë kufomat nga spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve, në mënyrë që më pas t’i shiteshin universiteteve për qëllime kërkimore, për 1200 euro secili, shpjegon një deklaratë për shtyp e policisë spanjolle.
Të paktën njëmbëdhjetë kufoma u shitën ilegalisht në metropolin spanjoll.
Katër të dyshuarit siguruan gjithashtu pagesa nga shkollat universitare për t’i ndihmuar ata të asgjësonin trupat që ishin studiuar duke i djegur, ose duke vendosur gjymtyrë të copëtuara në arkivolet e njerëzve të tjerë që do të digjeshin.
Kështu ata i ngarkuan universitetit 5040 euro për 11 djegje kufomash të studiuara, të cilat nuk figurojnë në asnjë faturë të krematoriumeve të qytetit, saktëson teksti.
Hetimi filloi në fillim të vitit 2023. Më pas, policia zbuloi se dy punonjësit e zyrës funerale kishin falsifikuar dokumente për t’i shitur një trup në një morg spitali një universiteti, në vend që ta varrosnin.
I ndjeri teorikisht është dashur të varroset në vendbanimin e tij, me shpenzimet e bashkisë. Shitja e trupit në një universitet për qëllime kërkimore është bërë pa pëlqimin e të ndjerit apo të dikujt tjetër.
Gjithnjë sipas njoftimit të policisë spanjolle, të dyshuarit ishin në kërkim të të vdekurve pa familjarë të tjerë gjallë dhe mundësisht të huaj.
Në një rast tjetër, ata siguruan pëlqimin e një të moshuari, i cili nuk ishte më plotësisht i vetëdijshëm, për t’i dhuruar trupin e tij shkencës pas vdekjes.
Dokumenti i dhurimit që ai nënshkroi parashikonte që trupi do të dorëzohej në një shkollë të caktuar mjekësore, por në fund ai u dërgua në një tjetër sepse ajo thjesht pagoi më shumë, tha policia spanjolle. /vizionplus.tv