Epidemiologu i njohur, Erion Dasho e konsideron mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme një vendim jo aq të nevojshem. Sipas tij, kjo masë nuk është e dobishme, për aq kohë sa ekziston mundësia e rujtjes së distancës fizike.

Ai theksoi në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” se distancimi fizik është shumë më i sigurt sesa përdorimi i maskës mbrojtëse.

“Ky është një vendim i cili vjen suprizues sepse situata që po kalon Shqipëria apo pritet të kalojë në muajt në vijim është shumë shqetësues. Kur kemi rritje të rasteve dhe stinën e virozave në prag, ne në vend që të marrim masa thelbësore, marrim masa dytësore, siç është mbajtja e maskës në publik. Mbajtja e maskave në ambiente të brendshme është provuar që është efektive. Mbajtja e maskës në mjediset e jashtme, në situatën e Shqipërisë, ka një rëndësi periferike, për të mos thënë që nuk ka rëndësi. Rrugët e Shqipërisë nuk janë rrugët e Seuli apo Tokios, ku njerezit levizin ngjitur me njeri-tjetrin.  Nuk lind nevoja që të mbash maskë, pasi ruan distancimin fizik fare mire. Distancimi fizik është shumë më i dobishëm sesa maska. Është shumë më i sigurt respektimi i distancës fizike.”

Për Dashon, situata në Shqipëri paraqitet katastrofike, duke iu referuar këtu menaxhimit të pandemisë nga autoritetet.  Ai shtoi se shkalla e vdekshmërisë nga COVID në vendin tonë është më e larta në Evropë.

“Testo, gjurmo, trajto. Ne duhet të trajtojmë më shumë, minimum 2500. Numri i rasteve është duke u rritur në mënyrë galopante dhe duhet urgjentisht të testojmë 5 mijë teste në ditë, si Italia a shumë vende të tjera.  Ne në Shqipëri nuk gjurmojmë sepse nuk testojmë mjaftueshëm. Është një situatë katastrofike. Qytetarët po trajtohen në shtëpi sepse i frikësohen trajtimit në spital. Trajtohen nga personel i pakualifikuar. Po i shkon trajtimi në qindra deri në mijëra euro. Kur shkojnë në spitalet COVID përballen me një shërbim, i cili ka shkallën më të lartë te vdekshmërisë në Evropë. Shkalla e vdekshmërisë reanimatore në Shqipëri llogaritet midis 60-80 për qind. Nuk na rendit përkrah vendeve evropiane. Nuk më shqetëson karantinimi, duhet të na shqetësojë rreziku i jetës dhe shëndeti. Do të jenë me qindra e mijëra pacientë në ditë që do t’i shtohet numrit të personave që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Duhete të vijojë zbatimi urgjent i protokolleve që të bëhet dignoza diferenciale mes gripit, covid dhe virozave të stinës. Qytetari, i cili ankohet për shenja fare elementare, menjëherë trajtohet me një trajtim të tmerrshëm.  Është e frikshme ajo që po ndodh me shëndetin e shqiptarëve në këto momente.”

Sa i përket karantinimit, mjeku e cilësoi një masë që nuk sjell efekte pozitive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *