Eskperti i ekonomisë, Mateo Spaho, në një intervistë për Vizion Plus ka dhënë opinionin e tij mbi vendimin e qeverisë për sigurim të detyruar të banesva në rast tërmeti.
Cilat vende e zbatojnë apo jo sigurimin e detyruar të banesave nga tërmeti dhe cilat janë përvojat e tyre?
“Gjitha vendet më të zhvilluara kanë një sigurim të detyruar nga tërmeti, por mënyra si është aplikuar ndryshon në shumë vende. Nëse flasim për Europën Perëndimore ndryshon ligji, por qytetarët janë të lirë të sigurojnë shtëpitë e tyre në të gjitha kompanitë private. Këtu, shteti vendos vetëm rregullin, ndërkohë që tregu i lirë bën lojën e çmimeve dhe natyrisht të mbrojtjes. Kemi raste të tjera siç është rasti i Turqisë, ku kemi një kompani shtetërore, të themi kështu, që merr sigurimin e shtëpive”, thotë ai.
Qeveria thotë se po diskutohet për një çmim që është e përballueshme për qytetarët, cila është këshilla nga një ekspert si ju për vendosjen e kësaj tarife?
“Në fakt është normale që të kemi prime të ndryshme sepse nëse jetojmë në Tiranë, një lagje qendrore, ku çmimi për metër katror është 2500 euro, natyrisht një dëm që kryehet në Tiranën qendrore, rimbursimi përkatës nënkupton një çmim më të lartë dhe natyrisht edhe prime do të jetë më e lartë. E kundërta në qytet ku kostot e apartamenteve apo shtëpive nëpër fshatra janë më të ulta, natyrisht edhe dëmshpërblimi duhet të jetë më i ulët”, thekson ai duke shtuar se dëmshpërblimi duhet të mbulojë lëndën e parë si dhe krahun e punës.
“Nuk është dytësore të shikojmë se ku qytetarët do të sigurohen dhe kemi detyrimin të sigurohen. Nëse propozohet një kompani shtetërore apo do iu lihet në dorë privatit”, shtoi ai. “Nëse kemi kompani shtetërore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës është demonstruar që eficenca ose niveli i auditimit dhe transparencës nuk ka qenë maksimal sepse shteti ka dy role në këtë rast, ka edhe rolin e arbritrit dhe rolin e lojtarit”, tha ai duke nënvizuar se është më efikase kur shteti ka vetëm rolin e arbitrit.
Qeveria ndryshoi buxhetin e shtetit, cili është opinioni juaj për shpërndarjen e të ardhurave që qeveria vendosi të bëjë?
“Të gjithë janë të lirë t’i shpenzojë paratë ashtu siç ato duan, por një pjesë e mirë e parave ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve, jo të një zvogëlimi të nivelit të korrupsionit dhe si pasojë ato familje që kanë qenë më të goditura kanë qenë shtresa e mesme dhe ato të ulta, sepse janë ato që kanë paguar rritjen e çmimit”, thekson ai duke nënvizuar se duhet bërë një ulje e taksave në favor të konsumatorëve për produktet e shportës.