Subscribe

Komisioni i Sigurisë rrëzoi dekretin e presidentit Ilir Meta për vetingun në polici. Kreu i shtetit i ktheu për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për vetingun në polici, por ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i hodhi poshtë pretendimet e Metës.

“Presidenti ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit për arsye se ai e konsideron Vetingun si instrument presioni. Në fakt “si një forcë ndëshkuese e mekanizmit të vlerësimit kalimtar” pra vetingu, e citova këtë nga dokumenti i ardhur nga Presidenti, pra e konsideron një forcë ndëshkuese. Nëqoftëse duam ta konsiderojmë presion, le ta konsiderojmë presion. Është një instrument presioni pozitiv ndaj kujtdo të merr përsipër të shërbejë në strukturat ligjzbatuese. Në Shqipëri dhe në çdo vend normal të këtij planeti. Çdokush që shërben në këto struktura e ka pranuar vetë do t’i nënshtrohet një verifikimi të përhershëm. Do të jetë përherë në një proces verifikimi, për arsye se risku i kompromentimit të një personi të caktuar gjatë karrierës është prezent.”

Lleshaj u shpreh i keqardhur që Meta përmend në dekret edhe nuancat elektorale.

“Është shqetësuese në fakt se Presidenti shquan nuanca elektorale. Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që  të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici. Ne, përkundrazi, besojmë që sa më e pastër të bëhet Policia, Garda dhe SHÇBA, aq më të mira bëhen kushtet që këto institucione të kryejnë me integritet dhe përgjegjësi ligjore punën e tyre.”


Dekreti i Ilir Metës pritet të rrëzohet edhe gjatë seancës së radhës parlamentare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *