Bashkëpunimi mes Shqipërisë e Italisë me qëllim forcimin e drejtësisë shqiptare, luftës kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut, ishin temat kryesore të bisedës mes kryeministrit Edi Rama dhe shefit të ekzekutivit italian Paulo Gentiloni.

 

Para mediave kryeministri italian e vuri theksin tek lufta e përbashkët kundër këtyre fenomeneve, duke përmendur edhe rrezikun që i kanoset sigurisë.

 

“Kemi një bashkëpunim mjaft aktiv në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe policive kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të lëndëve narkotike, kundër rreziqeve për sigurinë si pasojë e terrorizmit. Dhe një bashkëpunim mes sistemeve tona të drejtësisë, për të rritur cilësinë e këtyre sistemeve. Ka edhe një bashkëpunim aktiv mes gjykatave. Do të jenë këta dy kapituj të luftës kundër kriminalitetit dhe të cilësisë së sistemit të drejtësisë, disa nga kapitujt më të rëndësishëm në diskutimin me Bashkimin Europian, për të filluar rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë. Pra, bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim tregtar që mund të nxiten, marrëdhënie në luftën kundër krimit të organizuar dhe në fushën e aktivitetit të gjykatave, të cilat mund të forcohen, lidhje të hershme kulturore dhe nga ana jonë, vlerësimi i madh për rrugën që Shqipëria ka bërë këto vite nën lidershipin e Edit.”

 

Ky konstatim u mbështet edhe nga kryeministri shqiptar. Edi Rama theksoi rezultatin spektakolar, sipas tij, të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

 

“Sigurisht që Italia është një partnere kryesore në rrugën tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt, një vend të së drejtës dhe unë dua ta falënderoj publikisht Kryeministrin, mikun fort të dashur Paolo, për ndihmën në fushën e sigurisë, veçanërisht në luftën kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit dhe fitoren mbi këtë fenomen, por edhe në fushën e drejtësisë, veçanërisht për të çuar përpara një reformë të drejtësisë që është një nga shtyllat për Shqipërinë e së nesërmes, por edhe për pranimin në Bashkimin Europian. Nuk ka dyshim që rezultati spektakolar, që do të bëhet i ditur në ditët e ardhshme, edhe falë vizitës të Ministrit italian të Punëve të Brendshme, kundër kultivimit të kanabisit është një ndër rezultatet e shumta të këtyre viteve, që mund të konsiderohen si fryt i bashkëpunimit dhe ndihmës së Italisë”

 

Italia është vlerësuar si avokatja kryesore e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Përkrahje e cila u ritheksua përsëri nga Gentiloni.

 

“Besoj se koha për çeljen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë ka ardhur dhe ndaj, duke filluar nga diskutimi i parë që do të zhvillojmë në Këshillin Europian në dhjetor dhe pastaj sidomos në 2018-ën, ka disa afate vendimtare për të cilat duhet të punojmë në mënyrë që të kemi rezultat. Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe i ka bërë edhe në sektorë ku ka pasur një vëmendje të madhe nga ana e Bashkimit Europian. Bashkimi Europian ka interes jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, që ta mbajë të hapur perspektivën e pranimit.”

 

 “Ne besojmë fort se kemi bërë gjithçka për të hapur negociatat, gjithçka që ka të bëjë me atë që na u vu përpara si detyrë shtëpie dhe jam i sigurte se me ndihmën e Italisë në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera, gjërat që janë bërë, mund të marrin rëndësinë e duhur, që ta çojmë akoma më tej këtë proces dhe të hapim negociatat për pranim vitin tjetër.”

 

Gjatë takimit krerët e dy qeverive janë përqendruar edhe tek bashkëpunimi ekonomik. Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, me një shkëmbim prej afro 2.4 miliardë eurosh.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *