Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit, Kristjan Breshanaj në Vlorë.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në ekzekutimin e të riut morën pjesë dy persona. Autorët e kanë ndjekur shënjestrën prej disa ditësh e më pas e kanë ekzekutuar atë me breshëri kallashnikovi në një prej rrugicave fare pranë shtëpisë. Vrasja ishte e mirëmenduar pasi në vendin ku Breshanajt iu bë atentati ishte errësirë dhe ekzekutorët nuk mund të dalloheshin nga kamerat e sigurisë.

Pas krimit autorët u larguan me një automjet tip BMW me targa greke, i cili u gjet i djegur në lagjen 10 korriku të qytetit bregdetar. Sipas grupit hetimor, dyshohet se ekzekutorët u ndihmuan dhe nga persona të tjerë, të cilët mundësuan largimin e tyre me një tjetër makine.

Deri më tani janë shoqëruar dhe janë marre në pyetje nga uniformat blu disa persona të cilët dyshohet se kanë dijeni mbi atentatin.

Ndërkohë pista kryesore e hetimeve mbetet ajo e prishjes së pazareve të drogës dhe e shkuara e Breshanajt në Belgjikë. Por familjarët e kanë mohuar këtë fakt duke këmbëngulur se i riu nuk ka pasur asnjë problem. Kristjan Breshanaj u qëllua me 5 plumba në orët e para të mëngjesit të së dielës pranë zonës së quajtur “7 pallatet” në qytetin e Vlorës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *