Nga The Economist

Përktheu: Jonida Velia-Vizionplus.tv 

Lexo edhe :

Related Posts

Në muajt pasi Hamasi kreu mizorinë më të keqe kundër hebrenjve që nga Holokausti, konflikti është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme.

Në total, dhjetë vende tani janë të përfshira në luftë. Në Gaza ushtarët izraelitë dhe Hamasi vazhdojnë të luftojnë me njëri-tjetrin, edhe pse 2 milionë njerëz përballen me zinë e bukës.

Përtej kufirit me Libanin, Hezbollahu dhe Izraeli janë në një luftë të shkallës së ulët.

Ndërkohë, rebelët Houthi në Jemen po sulmojnë anijet e mallrave, duke krijuar një krizë financiare në Egjipt dhe duke marrë në “këmbim” kundërpërgjigje nga Amerika dhe Britania.

Vrasja e tre ushtarëve në Jordani më 28 janar nga milicitë në Irak mund të nxisë një përplasje midis Amerikës dhe Iranit, i cili sponsorizon “boshtin e rezistencës”.

Është e lehtë të bëhesh pesimist në këtë panoramë, por ka një rrugëdalje.

Mes diplomacisë intensive, të udhëhequr nga Amerika dhe Arabia Saudite, po merr formë një një marrëveshje transformuese.

Ajo që marrëveshja ofron ndryshe nga të tjerat është konsensusi për lirimin e propozuar të pengjeve për të qetësuar politikën izraelite, e cila do të shërbejë për të hapur rrugën drejt krijimit të një shteti palestinez.

Më pas përkushtimi i Izraelit në këtë marrëveshje do përdoret si bazë për një marrëveshje mes tij dhe Arabisë Saudite, në të cilën njohja reciproke mbështetet nga garancitë e sigurisë amerikane.

Zyrtarët thonë se shanset për një marrëveshje pengjesh mund të jenë 50% me 50% dhe, me këtë në fuqi, shanset për një marrëveshje saudio-izraelite mund të jenë gjithashtu 50% me 50%.

Çmimi nuk është aspak i sigurt, por premton një arkitekturë të re ekonomike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme.

Një “fije shprese” është se Izraeli mund të dëshirojë të ndalojë luftën. Shumë izraelitë janë të dëshpëruar për t’i kthyer pengjet e tyre në shtëpi. Vijimi i luftës nuk shërben në cclirimin e pengjeve.

Nga ana tjetër, Izraeli ka përparuar drejt qëllimeve të tij ushtarake. Hamasi ka humbur gjysmën e territorit gjysmën e luftëtarëve (pretendon ushtria izraelite), ndoshta një të tretën e tuneleve dhe shumë prej udhëheqësve të tij, ndonëse jo më të lartët.

Në këtë pikë, Izraeli pritet të thellojë krizën humanitare të civilëve që e ka vënë nën presionin ndërkombëtar, ku rrezikon të dëmtojë ende reputacionin e shtetit hebre.

Një arsye tjetër për shpresë është se Amerika, Egjipti, shtetet e Gjirit dhe Arabia Saudite gjithashtu kanë arsye të forta për të punuar së bashku.

Ndërsa lufta është përhapur, të gjitha keto vende kanë parë shtrirjen e plotë të ndikimit malinj të Iranit. Nëpërmjet përfaqësuesve të tij rajonal, të armatosur me dronë dhe raketa, Irani po përpiqet të mbjellë kaos edhe pse kërkon të shmangë një luftë të drejtpërdrejtë me Izraelin ose Amerikën.

Të gjithë duan të ndalojnë regjimin e Iranit që kërkon të shfaqet si fuqi rajonale, e aftë për të kërcënuar Izraelin dhe Gjirin, si dhe për të patur kontroll mbi tregtinë botërore si shpërblim nga kaosi i krijuar.

Kjo do të ishte një “tallje” për SHBA dhe do të konsiderohej si dështim në parandalimin e influencës iraniane në këto rajone të Lindjes së Mesme.

Askush nuk dëshiron të shohë një luftë shkatërruese që do të vendosë Amerikën dhe Izraelin kundër Iranit.

Paqja është e vetmja rrugëdalje.

Plani fillon me një pauzë humanitare të ndërmjetësuar nga Amerika, Katari dhe Egjipti.

Armëpushimi i parë, në nëntor, zgjati vetëm shtatë ditë; i ardhshmi mund të zgjasë për një ose dy muaj dhe të lirojë shumë në mos të gjithë pengjet e mbetura, përmes disa fazash negocimi.

Kjo mund të ulë gjakrat në politikën izraelite dhe të ndihmojë popullin izraelit të shikojë përtej tmerrit të 7 tetorit. Amerika dhe Arabia Saudite po i kërkojnë Izraelit të angazhohet për një shtet palestinez dhe të provojë vendosmërinë e tij, për shembull, duke bllokuar vendbanimet në Bregun Perëndimor.

Hapi tjetër përfshin Muhamed bin Salman, udhëheqësin autokratik por modernizues të Arabisë Saudite.

Para 7 tetorit ai po punonte për një marrëveshje që njihte Izraelin në këmbim të një traktati të mbrojtjes saudito-amerikane. Në të vërtetë, një motiv tjetër që mund të fshihej pas sulmit të Hamasit ishte sabotimi i planeve të tij. Përkundër gjasave, Arabia Saudite ende po përpiqet për këtë vizion.

Një marrëveshje do të shënonte angazhimin më të madh arab për paqen në tre dekada. Ai gjithashtu do të përfshinte Izraelin dhe do t’u ofronte palestinezëve një angazhim konkret për krijimin e shtetit të tyre. Me kalimin e kohës, kjo mund të evoluojë në një aleancë rajonale të udhëhequr nga Amerika për të frenuar Iranin.

Dy janë pengesat e mëdha që nuk lejojnë zbatimin e këtij plani: Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit dhe Yahya Sinëar, udhëheqësi i Hamasit në Gaza dhe arkitekti i 7 tetorit.

Netanyahu është një skeptik i përjetshëm për një shtet palestinez. Ai ka toleruar veprimet e dhunshme të kolonëve ekstremistë. Megjithatë, sondazhet tregojnë se vetëm 15% e izraelitëve mendojnë se ai duhet të mbetet në pushtet pas luftës.

Një armëpushim i gjatë dhe lirimi i pengjeve mund të krijojë mundësi për rivalët e tij.

Udhëheqësi i ardhshëm i Izraelit mund të jetë dikush që mund t’i thotë popullit të tij se themeli më i mirë për sigurinë e tyre nuk është lufta e pafundme, por aleancat e forta dhe një rrugë drejt paqes.

Presidenti Joe Biden duhet ta përshpejtojë këtë tranzicion duke i “mbushur mendjen” Netanyahut, siç ky i fundit ka bërë jo rrallë herë me presidentët amerikanë. Ai duhet të hapë një ambasadë në Jerusalem për palestinezët, që të krahasohet me atë që Donald Trump hapi për Izraelin.

Po pengesa tjetër, Sinwar? Ai mendohet të jetë i izoluar nën jug të Gazës, me trupa izraelite që duan “kokën e tij”.

Edhe pse ai ka shkaktuar një katastrofë mbi Gazën, ai do të pretendojë një fitore të madhe thjesht duke mbijetuar.

Është e mundur që krahu i armatosur dhe më fanatik i Hamasit të dilte pas një armëpushimi si forca dominuese në Gaza dhe të pretendonte për udhëheqje më të gjerë palestineze.

 Me inkurajimin e Iranit, Sinëar mund të sulmojë Izraelin, të provokojë hakmarrje dhe në këtë mënyrë të sabotojë çdo përparim drejt paqes.

Për të penguar sulme të tilla dhe për të vazhduar shkatërrimin e tuneleve, prania ushtarake e Izraelit në Gaza do të jetë për disa kohë.

Kjo do të zhgënjejë ata që duan një tërheqje të menjëhershme.

Por Izraeli duhet ta ketë të qartë se, nëse siguria e tij garantohet dhe Hamasi mbetet jashtë pushtetit, atëherë Sinëar do të tërhiqet dhe mund t’i kërkohet të largohet nga Gaza për në një vend të tillë si Katari, siç Yasser Arafat u largua nga Libani për në Tunizi.

Ai ka të ngjarë të këmbëngulë për të qëndruar. Kjo do të rriste vlerën e paqeruajtësve ndërkombëtarë, përfshirë nga shtetet arabe, të ngarkuar me sigurimin e sigurisë në Gaza, në mënyrë që të krijohet hapësira për shfaqjen e një qeverie të moderuar.

Që kjo të jetë e mundur, nevojitet vullnet i menjëhershëm nga të gjitha palët. Sa më shumë që Izraeli të frenojë kolonët e tij në Bregun Perëndimor dhe sa më shumë të besohet të angazhohet ndaj një shteti palestinez, aq më shumë liri veprimi do të ketë për të mbajtur nën kontroll luftëtarët e Hamasit.

Sa më shumë që shtetet arabe të jenë të gatshme të shpenzojnë para dhe të ofrojnë siguri, aq më të sigurt do të jenë izraelitët dhe palestinezët e zakonshëm të prirur për ndryshim.

Sikundër, sa më shumë Amerika të negociojë me palët, aq më mirë. Paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme do të fitohen gjithmonë me vështirësi. Por bota duhet ta shfrytëzojë këtë shans./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *