Subscribe

Miqësia dhe shkëmbimi i informacionin të dy oficerëve antidrogë, mes një italiani dhe Dritan Zaganit, i kushtoi këtij të fundit, dënimin nga shkalla e parë, me 4 vite e 6 muaj burgim. Ish-oficeri i antidrogës, u dënua pak javë më parë nga Gjykata e Fierit për dy vepra penale, shpërdorimi i detyrës dhe moskallëzim krimi.

 

Në dosjen e plotë të prokurorisë, që Vizion Plus disponon thuhet se Zagani dhe një miku i tij ndihmuan me informacione konkrete të personave që trafikonin drogë, një shtetas italian, ky i fundit një agjent droge në shtetin fqinj. Ndonëse në sajë të shkëmbimit të informacioneve janë bllokuar skafe me drogë në Itali, të drejtuar nga shqiptarë, organi i akuzës në Fier, shprehet se kjo gjë është bërë jo në përputhje me ligjin.

 

Një tjetër fakt i nxjerrë nga hetimet është edhe mënyra se si Dritan Zagani dhe italiani Alesanndro Giuliani bisedonin për ti vendosur një personi nga Vlora pajisje përgjuese në makinë dhe banesë, pasi kishin informacion se merrej me trafik droge. Për këto veprime, thotë organi i akuzës, Zagani dhe miku i tij kanë marrë nga oficeri italian dhurata të ndryshme duke mos përjashtuar paratë.

 

Dritan Zagani u dënua në mungesë, pasi ndodhet jashtë territorit shqiptar, ku ka kërkuar azil me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta.

 

Ky fakt është pohuar edhe më herët nga vetë Zagani. Ai ka treguar se ka marrë kërcënime të shumta edhe nga persona brenda radhëve të policisë teksa deklaronte se gjatë një kontrolli rutinë kishte ndaluar edhe vëllezërit Habilaj, te afërm të ish-ministrit te brendshëm Saimir Tahiri.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *