Aktorja e njohur Margarita Xhepa ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore.
E lindur më 2 prill 1934 në Lushnjë, Xhepa u bë një nga figurat më të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke interpretuar mbi 150 role në teatër dhe 32 në filma.
Lexo edhe :
Related Posts
E cilësuar si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar karrierën e saj e nisi në vitin 1950 pranë Teatrit Popullor, dhe më pas vazhdoi në Estradën e Shtetit. Që nga viti 1957, ajo iu përkushtua Teatrit, ku interpretoi role të spikatura si Ofelia tek “Hamleti” apo vajza e dytë tek Mbreti Lir.
Në kinematografi, me një prani që rrallëherë mund të përsëritet, ajo i dha jetë dhjetëra roleve që prekën zemrat e publikut, nga “Gjeneral gramafoni” te “Dora e ngrohtë”, duke shndërruar çdo rol në një testament artistik.
Në vitin 2007, aktores iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës”, ndërkohë është dekoruar edhe me titullin “Artiste e Popullit”, duke u vlerësuar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.
Për ndarjen e aktores së njohur kanë shprehur ngushëllimet drejtues të lartë të shtetit e politikës.
“Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare.”, shkroi presidenti Begaj në reagimin e tij.
Lamtumirë, Margarita Xhepa! Zëri yt do të kumbojë gjithmonë në teatrot dhe kinematë shqiptare./vizionplus.tv





