Në fund të muajit dhjetor hyri në fuqi udhëzimi i ministrisë së Financave e cila shtrenjtoi zhdoganimin e makinave të përdorura që importohen nga jashtë. Shtrenjtimi arrin deri në 25%. Me këtë vendim vlera minimale e zhdoganimit nis nga 160 mijë lekë.

“Nga ky shtrenjtim preken vetëm makinat që janë mbi 10 vite prodhim. Pra çdo makinë që do të importohet me vit prodhimi 2015 e më parë do të preket nga ky shtrenjtim”, tha Ardis Biba, importues makinash, në Vizion Plus.
Sipas aktorëve të tregut, ky shtrenjtim ishte një vendim i papritur dhe i pakonsultuar, por qëllimi i qeverisë për të frenuar importin e makinave të vjetra, nuk mjafton vetëm me këtë masë. Ajo çka bizneset e fushës presin është se ky shtrenjtim nuk do të cenojë tregun.
“Ne shohim që kërkesa për makina nga USA, Kanadaja apo dhe nga Koreja e Jugut është e lartë dhe konstante. Madje pritshmëritë tona janë që viti 2026 të ketë një rritje të mëtejshme të importit të makinave të përdorura. Çdo kush që ka interes për të blerë një mjet, nuk do të stepet nga një shtrenjtim 20-40 mijë lekë”, tha Biba.
Të dhënat flasin se 600 mijë makina kanë një moshë mbi 15 vjeçare në treg. Ndërsa vetëm 31 mijë prej tyre janë nga 0-4 vite prodhim.






