Kompania e fluturimeve, United Airlines ka informuar punonjësit se duhet të bëjnë vaksinën deri në fund të tetorit, duke u bërë e para shoqëri e madhe fluturimesh që vendos një mandat të tillë.

Në një letër dërguar punonjësve, shefi ekzekutiv i kompanisë Scott Kirby dhe presidenti i saj Brett Hart thanë se e kuptojnë që disa punonjës mund të jenë kundër këtij vendimi, por “faktet janë të qarta: të gjithë janë më të sigurtë nëse të gjithë janë të vaksinuar”.

Punonjësit që nuk pranojnë të bëjnë vaksinën do të pushohen nga puna. Kompania tha se do të lejojë përjashtime për arsye fetare apo shëndetësore, por do të kërkojë dokumentacionin e duhur që ofron shpjegime për këto përjashtime.

Kompania United ka rrreth 67,000 punonjës në Shtetet e Bashkuara. Ajo thotë se rreth 90% e pilotëve dhe 80% e ekuipazhit shoqërues janë tashmë të vaksinuar.

Kjo kompani i shtohet një liste në rritje me punëdhënës që kanë vendosur mandate të detyrueshme për vaksinat. Në fillim të javës, kompania Microsoft njoftoi se do t’u kërkojë punonjësve të ofrojnë dëshmi të vaksinimit para se të futen në zyrë.

Të martën, Tyson Foods, një nga prodhuesit më të mëdhenj të mishit në botë, tha se u ka kërkuar punonjësve të jenë plotësisht të vaksinuar.

Qeveria federale tha në maj se ligji e lejon që bizneset t’u kërkojnë punonjësve të vaksinohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *