Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ishte këtë të hënë e ftuar në konferencën e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për klimën e biznesit.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku u shpreh se nevojitet ndryshim përmes një politike të re fiskale, teksa shtoi se bizneset e rëndësishme të huaja largohen nga vendi nga monopolizimi apo oligarkizmi i tregut.

Sipas saj, një sistem eficent fiskal do të jetë motori i ekonomisë dhe karburanti i buxhetit me normën më të ulët të taksës në rajon prej 9%. Ajo shprehet se taksa e sheshtë do të ndihmojë në luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit.

“Jo vetëm kaq, por ajo që ofrojmë është një shkurtim i llojeve të taksave nën parimet e transparencës, thjeshtësisë, eficencës ekonomike, fleksibilitetit, përgjegjësisë politike dhe paanësisë. Boll më me 18 taksa dhe mbi qindra licensa që ju ngarkojnë me burokraci. Boll me ndryshimeve të pakuptimta e tendencioze të legjislacioni siç ka ndodhur në këto 7 vite. Ku ligjet fiskale dhe sistemi tatimor i janë kryer 150 ndryshime. Ju keni nevojë për qartësi e parashikueshmëri dhe ne kemi nevojë për suksesin e sipërmarrjes. Kjo jo vetëm për të mundësuar një rritje të standartit të jetës së shqiptarëve që sot rrezikojnë nivele varfërie si në vitin 2005. Por, edhe për të mirëpritur investimet e huaja të cilët janë kthyer si ujët e pakët në ekonominë e thatësirës që shkretëtira progresive na ka ofruar deri më tani. Për muaj me radhë kam dëgjuar thirrjen e sipërmarrjeve që kërkojnë më shumë drejtësi për mënyrën se si shkruhen politikat fiskale në këtë vend. Përherë e më pak zëri i tyre dëgjohet në një vend me dhjetra institucione dhe agjenci që paguhen nga buxheti i shtetit, për të mos u dhënë zgjidhje. Për të reduktuar edhe më shumë barrën burokratike do të angazhohemi për të ristrukturuar tërësisht administratën tatimore dhe atë doganore.”

Tabaku theksoi se PD do të ristrukturojë tërësisht administratën tatimore dhe atë doganore, ndërsa u shpreh se qëllimi nuk do të jetë gjobitja e bizneseve.

Për ish-deputeten, reformat e PD-së do të mundësojnë konkurrencën, do të zhbëjnë monopolet, do të çlirojnë tregun nga oligarkia, si dhe do të rrisin punësimin dhe të ardhurat.

“Do të jetë me eficente, më mirëfunksionale dhe nuk do të ketë si synim gjobitjen e sipërmarrjes. Nuk mbahet shteti me gjoba. Vizioni ynë ekonomik për Shqipërinë ngrihet mbi themelet e lirisë së sipërmarrjes, iniciativës private, hapjes ndaj investitorëve të huaj dhe qeverisë së vogël. Shteti duhet të ketë rregulla të thjeshta për të gjitha nivelet dhe llojet e konkurencës. Beteja jonë ngrihet mbi luftën ndaj korrupsionit duke krijuar një mjedis të paqshëm dhe dëshirueshëm për biznesin. Ku burokracia e pakët do të ketë synim të zgjerojë bazën tatimore, përmes incentivave dhe lehtësimit të mënyrës se si do të paguhen. Jemi të bindur dhe të qartë për atë se çfarë përfaqësojmë ne në rajon, ndaj duam të jemi një “hub” ku investorët nga vendet e partnerëve strategjik të ndjehen komod. Ne nuk do të luftojmë vetëm për të krijuar mundësi ekonomike për investitorët shqiptarë por synim dhe qëllim të veçantë kanë edhe investitorët e huaj. Partia Demokratike është thellësisht e shqetësuar nga fakti që Shqipërisë në këto 7 vite i kanë munguar investime të huaja direkte në fusha strategjike për ekonominë e së ardhmes. E kam ndjekur me tejet trishtim se si tregu jonë po monopolizohet apo oligarkizohet ndërkohë që biznese të rëndësishme të huaja largohen nga vendi duke mos iu ofruar mundësi. Humbja ka qenë e dyanshme.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *