Të paktën 100 persona kanë vdekur dhe janë plagosur si pasojë e një shpërthimi në një xhami në veri të Afganistanit të premten, i cili ka shënjestruar besimtarët myslimanë shiitë, ka thënë një zyrtar policor taliban.

Zyrtari Dost Mohammad Obaida, zëvendës-shef policor për provincën Kunduz, ka thënë se “shumica e tyre janë vrarë”, derisa Matiullah Rohani, anëtar i administratës së udhëhequr nga talibanët në Provincën Kunduz, ka konfirmuar se shpërthimi ka qenë sulm vetëvrasës.

Dega e grupit ekstremist, Shteti Islamik në Afganistan e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, përmes një deklarate të lëshuar në kanalin Telegram, duke thënë se një nga sulmuesit “ka shpërthyer një jelek në mesin e turmës” me besimtarë shiitë, të cilët janë mbledhur brenda xhamisë Gozar-e Sayed Abad, për lutjet e së premtes.

Një burim i paidentifikuar mjekësor në Spitalin në Kunduz ka thënë se në këtë objekt kanë pranuar trupat e 35 personave të vdekur dhe të mbi 50 pacientëve të plagosur, derisa një punëtor në organizatën Mjekët pa Kufij ka thënë se spitali ka raportuar për 15 persona të vdekur.

Militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), kanë histori të gjatë të sulmeve kundër minoritetit shiit mysliman të Afganistanit.

Nëse këto shifra konfirmohen, kjo do të shënojë shifrën më të lartë të viktimave në një sulm, prej largimit të forcave ndërkombëtare nga Afganistani në fund të muajit gusht, dhe prej kur talibanët kanë marrë pushtetin.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se xhamia shiite ka qenë shënjestër dhe një “numër i madh” i besimtarëve janë vrarë dhe janë plagosur.

Ai ka thënë se forcat speciale të talibanëve kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar incidentin./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *