Teksa në Bruksel mbahet konferenca e pestë ndërqeveritare për të hapur grup-kapitullin e radhës për Shqipërinë, ambasadori i BE Silvio Gonzato nënvizon nevojën që reformat të vijojnë me ritëm, që anëtarësimi i vendit tonë të ndodhë brenda vitit 2027.
“Procesi i integrimit padyshim që po përshpejtohet dhe është e vërtetë që ne ndajmë qëllimin ambicioz të mbylljes së negociatave të pranimit deri në fund të vitit 2027. Por për të arritur këtë afat kohor, duhet të intensifikojmë ritmin e reformave, veçanërisht në rajon, në konsolidimin e rezultateve të zbatimit të ligjit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në promovimin e të drejtave themelore. Por sigurisht që duhet të rrisim edhe përpjekjet për të siguruar që këto negociata të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse, sepse nevojitet një qasje e plotë shoqërore për një proces të vërtetë transformues”, tha Gonzato.
Në vijim të reformave që duhet të bëjë Shqipëria, BE kërkon edhe transformimin e zonave industriale.
“Reforma industriale është një element kyç i sesionit tuaj, duke i mundësuar Shqipërisë të konkurrojë në mënyrë efektive pasi të jetë brenda tregut të brendshëm të BE-së, duke kaluar nga metodat tradicionale të prodhimit në prodhim digjital. BE është me Shqipërinë në çdo hap, teknikisht dhe financiarisht”, tha ambasadori i BE-së.
Për reformën industriale, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare pjesë e Bankës Botërore firmosën një marrëveshje që do të përmirësojë zonat industriale si ish-Metalurgjiku dhe Kombinati. Reforma do të zhvillojë parqet e reja në përputhje me standardet mjedisore të BE./vizionplus.tv





